PKD: Po cënohet dinjiteti i Mark Frrokut

Partia Kristian -Demokrate ankohet për një fushatë të pamoralshme sulmesh ndaj kryetarit të saj, deputetit Mark Frroku. Sipas PKD, akuzat “monstruoze cënojnë rëndë dinjitetin e kryetarit të partisë”. Partia e deputetit Frroku thotë se pjesë e fushatës është bërë edhe Prokuroria e Përgjithshme duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën. “Të gjithë shqiptarët e panë dje përmes vendimit për masën e sigurisë dhënë ndaj dy deputetëve nga Gjykata e Lartë se Prokurori i Përgjithshëm doli blof para shqiptarëve, por shpërdorimi vazhdon ende me veprime antiligjore ndaj kryetarit të PKD-së, z. Mark Frroku të cilat i konsiderojmë njëherësh edhe si shantazh të pastër ndaj drejtësisë,” thuhet në deklaratën e PDK. Më tej kjo parti bën një apel që “askush të mos nxitohet apo irritohet derisa gjykata të thotë fjalën e saj”.

 

Deklarata e plotë e PDK:

PKD shprehet tejet e shqetësuar që drejtësia shqiptare dhe opinioni publik po mbahet nën presion të rëndë nga një valë akuzash monstruoze të cilat cënojnë rëndë dinjitetin e kryetarit të partisë, z. Mark Frroku, si qytetar, si familjar, por dhe si i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo fushatë e pamoralshme sulmesh po bëhet edhe ndaj PKD-së, e motivuar qartësisht për qëllime të paskrupullta politike, tashmë që vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Pjesë e kësaj fushate denigruese ndaj nesh është bërë edhe organi i akuzës, i cili me këto hapa po shkel rëndë ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Të gjithë shqiptarët e panë dje përmes vendimit për masën e sigurisë dhënë ndaj dy deputetëve nga Gjykata e Lartë se Prokurori i Përgjithshëm doli blof para shqiptarëve, por shpërdorimi vazhdon ende me veprime antiligjore ndaj kryetarit të PKD-së, z. Mark Frroku të cilat i konsiderojmë njëherësh edhe si shantazh të pastër ndaj drejtësisë.

Ne besojmë se kreu i PKD-së, z. Mark Frroku nuk bie pre e presioneve të askujt për aq kohë sa ligji dhe e drejta është me të. Akuzat ndaj kryetarit, z. Mark Frroku për vrasje dhe aktivitete të tjera kriminale janë një cënim i rëndë edhe ndaj forcës tonë politike, derisa ato nuk janë të provuara nga drejtësia.

Askush nuk ka pse të nxitohet apo irritohet derisa gjykata të thotë fjalën e vet, për aq kohë sa edhe kryetari i PKD-së e ka bërë të qartë se në çdo moment është i gatshëm për tu përballur me akuzuesit e tij para drejtësisë, në Shqipëri, Belgjikë apo në çdo vend tjetër të botës.

PKD iu bën thirrje të gjithë anëtarësisë, strukturave drejtuese të saj dhe mbështetësve që të distancohen nga kjo fushatë denigruese që po bëhet ndaj nesh dhe të mbrojmë të gjithë bashkërisht vlerat dhe aksionin politik kristian demokrat, duke kërkuar me forcë garancitë për zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës nga institucionet në vend.

SHKARKO APP