Plagos me armë zjarri një vajzë dhe dy vëllezër në një festë! Në kërkim Edison Elezaj
Një festë për pak sa nuk është kthyer në tragjedi orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë, kur një plumb ka plagosur tre persona të së njëjtës familje, motër dhe vëllezër.
Personi që ka qëlluar është Edison Elezaj, 32 vjeç, djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i “Ujit Lajthiza”.
Edison Elezaj mbante armë pa leje, sipas policisë, ndërsa mbeten të dyshimta rrethanat e plagosjes së tre personave në një lokal te “Rruga e Kavajës” në Tiranë. Ja se çfarë thotë njoftimi zyrtar i Policisë Tiranës:
“Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.
Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.
Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E”, bën me dije Policia.
Më vonë Policia ka dalë sërish me një njoftim të dytë duke informuar se:
Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i autorësisë së ngjarjes, dhe si rezultat:
– u shpall në kërkim shtetasi E. E., 32 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal;
– u arrestuan shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.
KOHA JONË SONDAZH

