Plani PD për Bujqësinë/ Basha: Zonat rurale do i kthejmë në faktorë zhvillimi. Shifër rekord për subvencionimin e fermerëve
Këtë të premte, Partia Demokratike prezantoi planin për Bujqësinë. Kreu i selisë blu, Lulzim Basha, tha se PD-ja do të mbështesë ekonominë e fermerëve, si dhe që fshatrat dhe zonat rurale të vendit, do të kthehen në faktorë zhvillimi.
”Objektivi ynë është t’i kthejmë fshatrat dhe zonat rurale të vendit, nga të harruara e tërësisht të braktisura nga qeveria aktuale, në faktorë zhvillimi. T’i kthejmë ato në mundësi që ofrojnë punësim, mirëqenie dhe standarde më të larta jetese. Do të mbështesim fort ekonominë e fermerëve dhe sipërmarrësve të këtij sektori, dhe do rrisim cilësinë e shërbimeve për ta dhe familjet e tyre, siç janë arsimi dhe shëndetësia. Ne do t’i japim fund një paradoksi të thellë makroekonomik dhe social, i cili fatkeqësisht mbizotëron prej një kohe të gjatë”,-tha Basha.
Një nga premtimet e PD-së, është që fermeri të ketë me vete vetëm kartën e identitetit për t’u pajisur me nipt. “I vetmi dokument me te cilin fermeri do te paraqitet për të perfituar mbeshtetje finanaciare, do te jete karta e identitetit, numri unik i të cilës do të shërbejë edhe si NIPT-i i fermerit”. Nga ana tjetër, Basha tha se do të ketë një shifër rekord për subvencionimin e fermerëve.
”Unë angazhohem që të subvencionojmë me një shifër rekord, drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit, 100 milionë Euro në vit për fermerët shqiptarë dhe të financojmë 50 milionë Euro të tjera çdo vit për infrastrukturën bujqësore, krahas financimeve të Bashkimit Europian. Mbështetja direkte me para në dorë për çdo dynym tokë të kultivuar dhe krerë në blegtori, do të ulë shpenzimet e fermerëve për mekanikën bujqesore, pajisjet e mekanizimit, imputet bujqësore bazë, plehrat kimike, farërat, fidanet, racat e kafshëve, produktet e mbrojtjes se bimeve etj.
Si rezultat, njësoj si fremerët e vendeve fqinjë, nga Kosova në Maqedoninë e Veriut fermeri shqiptarë nuk do të rropatet më për bukën e gojës apo edhe më keq të zhytet në borxh me çdo cikël kultivimi dhe prodhimi të pashitur, apo të shitur nën kosto. Fermeri shqiptarë do të arrijë të shesë prodhimin e tij dhe të të dalë me fitim, me para në xhepin e tij, para për vete dhe për familjen e tij. Ne do t’i transformojmë fermat shqiptare në biznese fitimprurëse!
Asnjë fermer, bujk apo blegtor, akuakulturë apo bletari, nuk do të mbetet pa mbështetje. Ne do të zhbëjmë burokracinë korruptive dhge frenuese dhe do t’ju mundësojmë të gjithë fermerëve që të kenë lehtësi në punën e tyre, pa ua zhytur dorën thellë e më thellë në xhep për t’iu marrë edhe qindarkat e fundit. E përsëris zotimin tim, angazhimin që do ta bëjmë realitet menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit”, tha Basha.