Platforma e PD për shëndetësinë, Shehu: Pacienti në qendër të sistemit
Qyteti i Vlorës ka qenë qëndresa e radhës e Partisë Demokratike, ku prezantoi platformën e saj për shëndetësinë, ku të pranishëm ishin mjekë, specialistë të fushës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në fjalën e tij kreu i Departamentit të Shëndetësisë, Tritan Shehu nënvizoi se i gjithë sistemi shëndetësor është në kolaps. “Vendi po përballet me një sistem shëndetësor në të cilin nuk respektohen të drejtat e qytetarit për shërbim bashkëkohor dhe nuk mbrohet dinjiteti i personelit shëndetësor”, shtoi Shehu.
“Karakteristikë e sistemit tonë është “varfëria falas” e tij, centralizmi shtetëror, luftimi i keq menaxhimit dhe mungesës së vizionit zhvillues”, theksoi Shehu.
Sipas Shehut në vend është një sistem shëndetësor ku dhe depozitat shëndetësore të qytetarëve në Fondin e Sigurimeve “sekuestrohen” nga shteti. “Kjo vjen si dëshirë për të mbushur defiçitet e tij, në vend që këto 25 milionë dollarë të investohen për përmirësimin e shërbimit”, tha Shehu.
Vetëm me këtë platformë të PD theksoi ai; “Nuk do të programohet por do të financohet për specializimet dhe kualifikimet e personelit, me qëllim ngritjen e tij shkencore, si dhe për hapjen e shërbimeve të reja”.
Në fund të takimit Shehu u shpreh se në qendër të sistemit duhet të jetë pacienti dhe e ka konsideruar thelbësor rolin e vlerat e personelit, “ne mund t’i japim shoqërisë e kolegëve tanë atë që është thelbësore: shëndet e dinjitet për të gjithë”, u shpreh Shehu.
R.Sh
KOHA JONË SONDAZH

