Pllakos heshtja e mortit, Meta dhe Rama homazhe për 8 viktimat e familjes Lala (FOTO)
I rikthyen aty ku humbën jetën në rrënojat e vilës 5 katëshe në zonën e Ish-Kënetës në Durrës, pas tërmetit tragjik për t’i përcjellë me nderime drejt banesës së fundit. Mes zisë së thellë, 8 viktimat e familjes Lala, mesditën e së shtunës u përcollen me homazhe, nderime, mes vajit dhe frikës prej tërmeteve.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i pranishëm në homazhet në nder të familjes Lala, e cila u shua pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Në pallatin e Kulturës në Durrës, u mbajtën homazhet për 8 viktimat e familjes Lala. Në mesazhin e tij, Kreu i Shtetit tha se nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë familjen Lala pas kësaj tragjedie të tmerrshme. ”E pamundur të gjesh fjalë për të ngushëlluar familjen Lala pas kësaj tragjedie të tmerrshme. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të pangushellueshme. Detyimi ynë për ti qëndruar pranë atyre gjithmonë”,-tha kreu i Shtetit në një prononcim të shkurtër për mediat.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, sikundër edhe qindra qytetarë të Durrësit që janë bashkuar me dhimbjen e papërshkrueshme. ”Çfarë dhimbjeje përballë fotove të vogëlushëve që humbën jetën nën trupin e nënës që u shemb përtokë nga goditja fatale e peshës së shtëpisë së shembur. Zoti e bëftë të lehtë dheun e 8 viktimave të familjes Lala”.
8 anëtarët e familjes Lala do të përcillen sot në varreza nga qindra familjarë të afërm, e qytetarë të ndryshëm. Sot iu jepet lamtumira Sahadetës, Ilirit, Marjetës, Griseldës, Amalias, Emiljos, Dionisës dhe Enisit. Familja Lala me origjinë nga Dibra por jetonte prej vitesh në qytetin bregdetar. Banesa e tyre u shemb dhe për rrjedhojë kanë humbur jetën tetë anëtarë të familjes. I vetmi i mbijetuar ishte Ramë Lala, 17-vjeçari i cili u arrit të nxirrej i gjallë nga grupet e shpëtimit. 17-vjeçari është dërguar ditën e djeshme në Itali për të marrë një ndihmë më të specializuar.