Po arrihet shifra e 1 milion të vaksinuar, Manastirliu: Të hënën vijnë mbi 14 mijë vaksina Pfizer

Në Shqipëri janë mbi 922 mijë vaksinime anti-covid, që nga nisja e fushatës ”Shqipëria buzëqesh”. Për të arritur objektivin e 1 milion të vaksinuarve, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se do të vijë sërish një dërgesë prej mbi 14 mijë doza të vaksinës Pfizer, teksa vijon vaksinimi i kombinuar i qytetarëve mbi 50-vjeç dhe i punonjësve të shërbimeve kritike.

“Ditën e hënë pritet të mbërrijnë rreth 14 mijë vaksina nga Pfizer, duke e çuar në mbi 1 milion vaksinat e mbërritura në Shqipëri dhe tashmë më shumë se 926 mijë vaksina janë kryer në të gjithë vendin. Jam e kënaqur që rrejti i qendrave shëndetësore, infrastruktura që ne kemi ngritur, siguron kushtet edhe për një vaksinimin në të gjithë vendin”. Ministrja po ashtu deklaroi se programi i vaksinimit do të vijojë përgjatë sezonit veror, duke bërë me dije se për ata të moshuar që e kanë të pamundur për të shkuar në qendrat shëndetësore, vaksinimi i tyre të kryhet në kushte shtëpie.

“Ne duhet të vijojmë programin tonë të vaksinimit dhe përgjatë gjithë sezonit veror fokusi do të jetë vijimi dhe intesifikimi i vaksinimit kudo në komunitet, duke siguruar që edhe ata të moshuar që ende nuk e kanë kryer vaksinën, t’i kryhet vaksina në kushte shtëpie, pra për ata që e kanë të pamundur për të ardhur në qendrat shëndetësore apo në qendrat e vaksinimit të përqëndruar”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. Duke folur për situatën e epidemisë në vend, Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për vigjilencë dhe theksoi se do të intensifikohet programi i vaksinimit “Pavarësisht se jemi në një situatë shumë të kontrolluar të epidemisë në vend, kjo nuk do të thotë se duhet të ulim vigjilencën, e aq më pak, ritmin e vaksinimit”.

Swiss Digital Mobile Reklama

”Mos neglizhoni dozën e dytë”, është mesazhi i shefes së Departamentit të Epidemiologjisë, Silva Bino, që citon një studim, i cili vlerëson efektshmërinë e dozës së dytë edhe për variantin Delta të Covid-19, që duket më i rrezikshmi për momentin. ”Studimi më i fundit i Agjencisë të Shëndetit publik në Angli, akoma jo i certifikuar për peer review, tregon për herë të parë se 2 doza të vaksinave ndaj Covid-19 janë mjaft efektive ndaj hospitalizimeve nga varianti Delta (B.1617.2). Pritet që ky efekt te jete i lartë edhe ndaj vdekshmërisë. Analiza tregon se ky efektivitet i vaksinave është i krahasueshëm me atë ndaj variantit Alpha”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?