”Po cënohet lëvizja e lirë pa viza”, PD akuzon Ramën: 740 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi
Për eksodin e ri të shqiptarëve, Partia Demokratike akuzon qeverinë ”Rama 3”, duke edhe thënë se po cënohet lëvizja e lirë. Në një dalje për mediat, drejtuesja e departamentit për Politikat e Jashtme Ilda Zhulali, tha se nga vendi janë larguar 740 mijë shqiptare, ndërsa theksoi se Shqipëria është i vetmi vend i rajonit, ndaj të cilit ka një kërkesë zyrtare për pezullimin e vizave. ”Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në protestën e së shtunës kundër politikave të shpopullimit që po ndjek Edi Rama, duke cënuar dhe arritjen më të madhe, të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë”,-tha Zhulali.
Deklarata e plotë
Si sot, 12 vite më parë, Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Europian votuan pro lëvizjes së lirë të shqiptarëve në hapësirën Shengen. Ministrat e BE do të pohonin njëzëri se ky vendim “bazohej në zbatimin e reformave madhore që lidheshin me sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, emigracionit, forcimin e kufijve dhe sigurinë e dokumenteve”.
Brenda dy viteve, 40 institucione shqiptare u angazhuan për përmbushjen e 140 kushteve, ku përfshiheshin regjistri elektronik kombëtar, letërnjoftimet dhe pasaportat biometrime, sistemet TIMS dhe MEMEX, çlirimi i qyteteve prej bandave, shkatërrimi i rrjeteve të trafikantëve të qenieve njerëzore, dhe deri te krijimi i kushteve të punësimit e arsimimit për të gjithë shtetasit shqiptarë që nisën të kthehen në Shqipëri.
Qytetarët shqiptarë ishin përfituesit më të mëdhenj të lëvizjes pa viza drejt BE, jo vetëm sepse kjo i dha fund dramës së familjeve të ndara prej vitesh, por edhe për zhdukjen e një paragjykimi të pamerituar si kontigjent rreziku për Europën.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në periudhën 2009-2013, 134.000 shtetas shqiptarë u rikthyen në atdhe. Shqipëria zuri vendin e parë të kryetitujve ndërkombëtarë si vendi që u anëtarësua në NATO, që liberalizoi vizat, dhe që përparoi drejt anëtarësimit në BE. Gjatë qeverisjes së Edi Ramës, nga viti 2014, janë larguar nga Shqipëria mbi 740.000 shqiptarë.
Që prej vitit 2019, Shqipëria është i vetmi vend i rajonit, ndaj të cilit ka një kërkesë zyrtare për pezullimin e vizave, të kërkuar prej Holandës, së cilës i është bashkuar edhe presidenca ceke e BE para disa javësh. Shqetësimet e vendeve europiane lidhen me fuqizimin e krimit të organizuar, me nivelin alarmant të korrupsionit, me rritjen dramatike të emigracionit, me cënimin e sigurisë. Partia Demokratike përsërit thirrjen e saj për trajtimin me urgjencë të të gjitha çështjeve të ngritura nga vendet anëtare të BE, përfshirë:
1-Refuzimin nga ana e Kuvendit të ligjit të aministisë fiskale dhe penale që favorizon pastrimin e parave të krimit dhe parave të vjedhura prej shqiptarëve.
2-Ndalimin e skemës së pasaportave të arta, që rrezikon të strehojë individë të dyshuar në veprimtari kriminale apo terroriste.
3-Marrjen e masave urgjente për të adresuar shkaqet që motivojnë emigrimin masiv të shqiptarëve.
4-Përshtatjen e politikës së vizave me atë të Bashkimit Europian, vecanërisht ndaj shteteve si Rusia, që konsiderohen rrezik ndaj sigurisë europiane.
Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në protestën e së shtunës kundër politikave të shpopullimit që po ndjek Edi Rama, duke cënuar dhe arritjen më të madhe, të lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Europë.