Po na çon SPAK drejt zgjedhjeve të parakohshme në vjeshtë?

Nga Skënder Minxhozi

Ndoshta përgjigja e kësaj pyetjeje duhet kërkuar jo mes lajmeve të këtij gushti plot turistë e rrëmujë plazhesh, por diçka më herët. Tre javë më parë socialistët thirrën Asamblenë e tyre dhe brenda një ore shkarkuan të gjithë sekretariatin, më saktë sekretarin e përgjithshëm Gjiknuri dhe tetë sekretarët e tjerë në rresht. Partia ka mbetur prej atij momenti pa sekretariat, ndërkohë që në vend të Gjiknurit është vendosur një person-dezhurn që ngjan më shumë me një gomë rezervë për raste emergjencash.

Ajo që ndodhi në Asamblenë socialiste është diçka që kaloi pa u vënë re nga mediat, por që në fakt shënon një sjellje unike, kur një parti e madhe mblidhet për të analizuar një fitore historike dhe në fund të mbledhjes ju pret kokat të gjithë drejtuesve politikë. Në 14 maj PS fitoi 53 nga 61 bashkitë e listuara në garë. Arriti të marrë për herë të parë Shkodrën e Tropojën, duke e tkurrur Berishën e Metën në një hapësirë sa një shami hundësh: vetëm shtatë bashki të dorës së dytë në gjithë territorin e Shqipërisë.

Çdo logjikë elementare do të kërkonte që tetë sekretarët dhe shefi i tyre Gjiknuri të gradoheshin nga Asambleja, e jo të pushkatoheshin politikisht. Fitorja masive e zgjedhjeve presupozonte një aheng fitimtarësh, e jo një raprezalje të të gjithë elitës së partisë. Rama as që denjoi të mbante fjalimin e tij dikur të paevitueshëm televiziv në hapje të Asamblesë, duke e bërë edhe më surreale klimën rreth eventit.

Megjithatë ky ishte vendimi i kryeministrit dhe si i tillë duhet peshuar e analizuar në optikën e zhvillimeve të ardhme në PS, të cilat influencojnë të gjithë skenën politike shqiptare.

Një element tjetër me shumë rëndësi plotësoi kuadrin gri që krijoi Asambleja e korrikut, me vendimet e saj. Aty u shpall se në fillim-shtator do të mbahej një tjetër mbledhje e ngjashme, e cila do të përcaktonte datën dhe axhendën e kongresit të jashtëzakonshëm. Pse një kongres i jashtëzakonshëm, e jo një kongres i zakonshëm?! Çfarë urgjence ka Partia Socialiste, e plotfuqishme në dy mandatet parlamentare e lokale që ka marrë përkatësisht në 2021 dhe 2023, që të mbledhë me urgjencë kongresin, pasi ka shkarkuar në korrik gjithkënd që mbante një post?!

Këtu hyjmë në terrenin rrëshqitës dhe të paqëndrueshëm të supozimeve. Të cilat nuk do të ishin të plota, nëse nuk do të analizonim shkaqet që çuan Ramën në zbrazjen e zyrave në kokë të partisë në mes të verës dhe pas një fitoreje të madhe elektorale. Kryeministri e di mirë se pas fasadës së fitimtarit qëndron konsumi në rritje i qeverisjes, aksidentet dhe rëniet, të papriturat dhe zhgënjimi, bashkë me riskun e humbjes së pushtetit.

Dhe simboli i kësaj ane tjetër të medaljes për partinë që ka fituar gjithçka në këtë vend në dekadën e fundit, e ka emrin SPAK. Megjithëse formalisht Rama ka bërë moskokëçarësin për arrestimet dhe hetimet e bujshme që prokuroria e posaçme ka nisur muajt e fundit ndaj figurave më të larta të maxhorancës, ai është koshient se përgjegjësia penale është personale, kurse përgjegjësia politike shkon shumë më gjerë se kaq. Ajo prek të gjithë grupimin politik të cilit i përkasin personat nën akuzë.

Kjo situatë e re, të cilën kryeministri me sforcim përpiqet ta lexojë si një “sukses të drejtësisë së re të inicuar nga PS”, po bëhet gjithnjë e më komplekse, sa më shumë që zgjatet lista e të goditurve nga radhët e shumicës së tij. Dhe si e tillë, ajo mund të përkthehet në një moment të caktuar në një kosto të paparashikueshme për Ramën dhe qeverinë e tij, gjatë muajve të ardhshëm.

Afërmendsh që edhe kupola e partisë u silurua jo për shkak se fitoi mbi Berishën më 14 maj, por për shkak se PS s’po arrin të fitojë mbi SPAK. Tashmë po përvijohet qartë se “rivali” i vetëm i Edi Ramës i mbetur në fushë, pas rënies en bloc të opozitës së konsumuar të Berishës dhe Metës (të dy këta presin me dorë në zemër ndonjë rrufe nga prokurorët), është SPAK dhe Altin Dumani.

Kjo situatë krejt unike po krijon një dinamikë të re raportesh e lëvizjesh në elitën politike shqiptare, e cila i rrëshqet leximit tradicional. Edhe Rama, por bashkë me të edhe Basha, Berisha e Meta, e kanë të vështirë të dekriptojnë lëvizjet e SPAK, i cili është kthyer në kuptimin real të fjalës, në një minë të nënujshme që spostohet në heshtje nën këmbët e politikanëve shqiptarë.

I vetmi reagim i mundshëm politik i vjetër sa bota, ndaj këtij rreziku të padeshifrueshëm, mbetet vendosja e mandatit në duart e zgjedhësve. Një mandat i ri për fitimtarin (dhe Rama me të drejtë konsiderohet ende si i tillë në kushtet aktuale), do të përbënte një parzmore të re politike si dhe një katërvjeçar tjetër në krye të shtetit. Në të kundërt, një pritje pasive e asaj çka del nga cilindri i magjistarëve të SPAK, do të ishte një lotari që do të rëndonte pozitën dhe aksionet e qeverisë në bursën e opinionit publik.

Ndoshta Rama dhe Basha po e ndjejnë, nga pozita dhe për interesa të ndryshme, nevojën e reagimit ndaj kësaj gjendjeje të re ku ka hyrë politika shqiptare pas hetimeve të SPAK. Që të dy kanë thirrur kongreset e partive të tyre në muajin shjtator. A është kjo diçka e koordinuar, apo është instikti që po i thërret partitë drejt organizimit dhe veshjes së “uniformës së luftës”?! E kotë t’i hysh hamendjeve sepse ato janë tërësisht ndarëse, në varësi të atij që ka në dorë një mikrofon apo podium publik.

Dy stemat më të mëdha politike të vendit, e bashkë me to dhe media e opozita e mbetur, po e fillojnë shtatorin jo me gosipin e përvitshëm të ndryshimeve në qeveri, por me kongrese e asamble. Është një arsenal që zakonisht përdoret në prag-zgjedhje, e jo në fillimet normale të sezoneve vjeshtore të parlamentit. Me gjasë po ndjejmë aromë zgjedhjesh.

SHKARKO APP