Video editorial i “Koha Jonë”: Po tani, Meta ua ka fajin për vrasjet pas zgjedhjeve!?
Video editorial i “Koha Jonë”: Po tani, Meta ua ka fajin për vrasjet pas zgjedhjeve!?
Një javë pas zgjedhjeve, qytetet kryesore të vendit janë përfshirë nga një seri vrasjes të stilit mafioz. Në Vlorë, në mes të ditës, një atentat me kallashnikov e ktheu qytetin bregdetar njëlloj si Palermon e viteve ’60.
Në Elbasan, një prej qyteteve më problematikë të viteve të fundit, një atentat mafioz riktheu frikshëm përplasjen e bandave kriminale që kontrollojnë këtë zonë.
Në Tiranë, qytetin më të monitoruar nga Policia e Shtetit dhe institucionet e sigurisë brenda pak ditësh kanë ndodhur vrasje dhe plagosje.
Krimi ka dalë nga kontrolli dhe situata është alarmante për shkak se Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ende nuk kanë një përgjigje për ata që po ndodh. Në shumicën e rasteve autorët nuk janë gjetur dhe pas çdo vrasje kemi frazën standardet: “autori ose autorët kanë ikur në drejtim të paditur”.
Para zgjedhjeve për situatën e acaruar në vend, qeveria akuzonte Presidentin Ilir Meta. Duke fajësuar retorikën e kreut të shtetit, qeveria dhe PS arritën deri në absurditet duke akuzuar kreun e shtetit edhe për vrasjen në Elbasan. Me ngjarjet e fundit ku bandat kanë dalë në rrugë, fatura e përgjegjësisë është te qeveria dhe jo të Presidenti.
Sot që zgjedhjet kanë përfunduar, rilindasit po bëjnë planet e mandatit të tretë ndërsa krimi është hedhur në aksion. Sigurisht eksponentë të PS nuk mund të akuzohen për krimet, por trimërimi i bandave dhe mungesa e reagimit nga policia ka një përgjegjësi politike që shkon të qeveria.
Për kasaphanën që po ndodh rrugëve të Shqipërisë dhe klimën e terrorit në qytetet e vendit përgjegjësia duhet kërkuar të masat e munguara të kësaj qeverie dhe sigurisht te tolerimet që kjo mazhorancë i ka bërë krimit për zgjedhjet. Paaftësia e policisë dhe mbyllja e syve përballë bandave e bën përgjegjëse direkt qeverinë.