Pokeri me PD, përgjegjësi zero. Po lind një opozitë e re?
Nga: Redjon Shtylla
E pranojmë që PD në këto 8 vite si opozitë nuk ka qenë e qetë, ka pasur zhvillime, përjashtime dhe skandale. Ka pasur aksione të forta, si dhe denoncime të bujshme kundër qeverisë Rama, por ende vijon të jetë opozitë. Kjo kërkon analizë tjetër.
Sot lind pyetja se a është kthyer PD-ja në një ushtri të shpartalluar pas një beteje të gjatë dhe sa po e rëndojnë pozitën e Bashës akuzat e ”foltores”? Beteja e gjatë për t’u rikthyer në pushtet e ka lodhur, e ka dobësuar dhe brenda selisë blu duket sikur busulla ka humbur. Por lojë ka!
Kush luan dhe vijon ta mbajnë peng PD-në, kjo për ”liri dhe demokraci”, duhet të bëjë hapa pas. Shqiptarët janë dëshmitarë sesi po deformohet vullneti i bazës, sesi po luhet luajnë poker me fatet e saj, kjo për të përmbushur synimet.
Nëse ”llumi” që sipas Nokës kreu Basha ka etiketuar qeverisjen e Berishës, a nuk janë po këta njerëz që Basha ende sot i ka në PD, dhe i vendosi në listat e 25 prillit, madje i ka edhe pranë vetes. Ka ardhur koha që të marrë fund kjo lojë me terma ”llumë”, ”tradhëtar”, ”besëthyer”, pasi në të kundërtën populli do të kërkojë një opozitë të re, dhe PD rrezikon të mbetet një histori jo potencial i së nesërmes për qeverisjes.
Në vend të sherreve dhe përçarjes, PD-ja sot më shumë se kurrë duhet të japë propozime konkrete për luftën ndaj oligarkisë. Nëse PD nuk ka alternativë, nuk ofron asgjë të re nga ç’ka ofruar në këto 8 vite veç denoncimeve dhe protestave edhe të dhunshme, atëherë mbi tokë do të dalë një parti e re që do të jetë më e besueshme, frymëzuese.
Nëse PD-ja në këtë mandat të tretë si opozitë, do të jetë ndryshe, atë duhet që dikush të mbajë përgjegjësi morale dhe politike për shkatërrimin e saj. Dyluftimi Berisha-Basha këtë po kërkon që të shmangë, të manipulojnë deri në ushtarin e fundit dhe që vetë të dali si hero.
A janë shpresë të larguarit e PD-së? Ribashkimi i PD është një justifikim për ta mbajtur peng PD, duke e larguar gjithnjë e më shumë nga orientimi demokratik! Ribashkim në fakt do të thotë ribashkim i një klani që për vite e ka përdorur PD. Ky lloj ribashkimi është ribashkimi i të kaluarës dhe shkatërrim i PD.
Nëse PD-ja nuk hedh dorë nga sherri i panevojshëm brenda vetes, shumë shpejt që të jetë si kanibalët që do hajnë njëri-tjetrin. Dhe atëherë opozita e re do të lind nga protestat që mbahen para Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve, aty u panë elementë të fortë dhe bindës për të qenë opozitë e vërtetë përballë qeverisë.