Polemika për projektligjin “Për Byronë e hetimit”
Opozita është krejt e qartë në vendimin e saj sot kur qeveria vendosi të miratojë ngritjen e Byrosë Kombëtare të hetimit një formulë bashkëpunimi mes policisë gjyqësore dhe prokurorisë.
Ajo nuk do ta votojë këtë variant duke argumentuar se edhe pse e ka mbështetur pak kohë me parë ai është bërë nul pas rekomandimeve të Venecias të cilat sugjerojnë se Task Forca për hetimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë të ngrihet në Prokurori.
Në një intervistë të posaçme për Ora News Ish kryeministri Sali Berisha dhe Ilir Meta sjellin opinionet e tyre për Byronë e Hetimit. Zoti Berisha i mbështetur më pas edhe nga Kryetari demokrat në mbledhjen e përjavshme të grupit tregojnë ecurinë e këtij procesi ndërsa Meta duket krejt i qetë dhe mezi po pret që Byroja e hetimit të mbërrijë në Kuvend për miratim.
Tirane- Dhe kur të gjithë ishin dakort për ngritjen e Byrosë së hetimit dhe dukej se mungonte akti i miratimit në qeveri, tani në kushtet e reja kur ky draft u miratua nga ekzekutivi ish kryeministri dhe ish kryetari historik i demokratëve Sali Berisha në një intervistë për Ora Neës thotë se ky draft nuk përputhet me rekomandimet e Venecias dhe se nuk do të votohet nga opozita edhe pse më herët demokratët e kishin përkrahur formulën që u miratua sot atë të ndërtimit të saj si polici gjyësore në Drejtorinë e Policisë.
Sali Berisha: Rezervat e mia për këto dy çështje ja kam shprehur direkt Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara. Por rikthimi i vërejtjeve të Venecias e bën pasqyrimin apo ndërtimin e kësaj Byroje duke konsideruar të dy këto vërejtje. Në këtë sistem vendi i Byrosë Kombëtare të Hetimit është në Prokurori në njësinë e Krimeve të Rënda, sepse vetë kjo mazhorancë ka spostuar korrupsionin si vepër tek kjo njësi.
Në një intervistë të posaçme për Ora News kryetari i Kuvendit Ilir Meta që drejton partinë e dytë në qeverisje, nuk i kushton rëndësi varësisë së Byrosë së hetimit po efikasitetit të kësaj strukture për të cilin kish rënë dakort edhe opozita.
Ilir Meta: Nuk kam hyrë asnjëherë në brendinë e këtij projekti, e kam theksuar që për ne është e rëndësishme të ngrihet dhe të jetë efikase. Nuk është shumë e rëndësishme sesi ngrihet dhe ku ngrihet. Për ne ka rëndësi të respektohen parimet e Kushtetutës dhe të jetë efikase, kjo është mjaft e rëndësishme.Dhe ajo që është po kaq e rëndësishme është që ky është varianti më i fundit për të cilin Partia Demokratike ka rënë dakord edhe me përfaqësuesit e OBDAT-it, mua ma ka konfirmuar Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri dhe tani i takon parlamentit dhe Komisionit për reformën në drejtësi që të shprehen edhe për këtë çështje dhe ta miratojmë sa më shpejt në Kuvend.
Ish kryeministri Berisha tregon devijimin e mbështetjes fillestare të opozitës dhe se çfarw ndodhi me debatet mbi Byronë e Hetimit pas rrëzimit të draftit të parë të qeverisë nga Gjykata Kushtetuese, që parashikonte varësinë nga qeveria të Byrosë.
Sali Berisha:Më pas Ambasada amerikane, ekspertët amerikanë u morën me draftimin e ligjit të dytë, ligj i cili ishte si të themi, ligj i policisë gjyqësore. Pra nuk interferonte me ligjin e Prokurorisë. Duke e mbajtur si ligj të policisë gjyqësore bën një shartim, dmth vendosën Prokurorin në krye të ekipit por e mbajtën në Drejtorinë e Policisë çka ishte vunerabël, ishte jo e qëndrueshme sepse Prokuroria këtu është institucion kushtetues. Nuk pranoi ekzekutivi kurrsesi që kjo të spostohej, ekzekutivi ishte kategorik.Edi Rama e kundërshtoi në mënyrë kategorike që kjo të kalojë në Prokurori. Presion deri në atë shkallë, që ne pranojmë vetëm këtë. Ne pranojmë vetëm këtë, kjo është e sigurt.
Por pak ditë me parë kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se ky ishte nje variant që përkrahet nga opozita dhe se ishte i habitur se përse nuk votohej në qeveri. Edhe për këtë zoti Berisha ka nje pergjigje.
Lulzim Basha deklaroi: Byroja Kombëtare e Hetimit siç është konceptuar me ndihmën e partnerit tonë strategjik SHBA është një task-forcë permanente, një instrument i përhershëm i prokurorisë dhe policisë gjyqësore për të hetuar korrupsionin në nivele të larta. Policia gjyqësore merr rrogën në polici të shtetit por është në funksion të Prokurorisë, hetimit.Është e ndarë pranë Prokurorisë dhe policisë së shtetit, por është në funksion të hetimit.
Berisha thotë: Edhe unë e kam mbështetur këtë, por kur? Para vërejtjeve të Komisionit të Venecias.
Sot kur drafti i Byrosë së Hetimit u miratua ne variantin e një strukture të policisë gjyqësore, Kryetari Basha afrohet me ish kryetarin duke zbuluar se rekomandimet e Venecias e përjashtojnë këtë formulë.
Lulzim Basha: Sot para se të futesha në këtë mbledhje mediat njoftojnë se në mbledhjen e qeverisë paskërkan kaluar një projekt të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Është e vërtetë që ne u dakordësuam me ndërmjetësimin e partnerëve tanë amerikanë për nëj version që çmontonte kapjen direkte nga Edi Rama dhe Saimir Tahiri të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sikundër është e vërtetë që pasi e mbajtën me javë të tëra në sirtar këtë version erdhën rekomandimet e Venecias i cili diktoi në mënyrë të qartë dhe pa paekuivok se drejtimi i Byrosë nuk mund të jetë i jashtëm nga Prokuroria. Nëse është version i Byrosë nën prokurorinë siç e parashikon Venecia në rekomandimin e saj 90. Nëse po i janë përgjigjur ftesës tone, i përgëzojmë dhe jemi gati të bashkojmë votat tona që nesër. Nëse jo, atëherë ky është një truk për të fituar kohë dhe për ti hedhur hi syve publikut dhe institucioneve ndërkombëtare.
Por ish Kryeministri Berisha i cili vijon të ketë një peshë të rëndësishme në vendimarrjen e opozitës por edhe të jetë aktiv në bisedime me faktorin ndërkombëtar zbulon variantin aktual për të cilin është i bindur se do votohet dhe që bazohet krejtësisht tek rekomandimet e Venecias.
Berisha: Atëherë është vendosur dhe do ngrihet, nuk e di nëse do ngrihet me këtë emër apo jo, por si task-forcë speciale brenda Prokurorisë në kuadrin e reformës së drejtësisë. Për mua mund të ndodhë që nesër, por kjo duhet që palët të bien dakord. Në çmënyrë mund të ndodhë? Fare thjeshtë,ligji është ai që është, hapet një syth, amendohet ligji për prokurorinë e përgjithshme, parashikon kriteret e përzgjedhjes së prokurorëve për këtë njësi, vendosjen e kësaj njësie dhe përcakton vartësitë e saj. Kjo është mënyra me të cilën, nëse këtu ekziston vullnet politik brenda një kohe shumë të shkurtër Byroja e Hetimit fillon nga puna.
Në këto kushte bisedimet për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë kthyer në pikën zero. Drafti që kaloi sot në qeveri nuk do ta ketë mbështetjen e opozitës, dhe është e paqartë nëse shumica do ta miratojë pa konsensusin e saj edhe pse i ka votat e mjaftueshme për një gjë të tillë.
KOHA JONË SONDAZH

