Policia arreston 13 politikanë me dyshimin për korrupsion
Disa politikanë me influencë janë ndërmjet 13 personave, të cilët janë arrestuar në Malin e Zi, me dyshimin për korrupsion në shkallë të gjerë, konfirmuan sot zyrtarët e vendit të vogël ballkanik.
“Ka arsye për të besuar se të dyshuarit kishin formuar një sipërmarrje kriminale për përfitimin në mënyrë të paligjshme të pasurive”, deklaroi prokurori Milivoje Katniç në një konferencë shtypi.
“Ata i kanë planifikuar veprimet e tyre prej një kohe të gjatë… me role dhe detyra të përcaktuara qartë”, theksoi ai.
Ata janë të dyshuar për manipulim të lejeve të ndërtimit, që kanë shkaktuar miliona euro humbje në buxhetin e shtetit malazez.
Lazar Ragjenoviç, kryetari i bashkisë së Budvës, zona më e njohur turistike e vendit, si edhe administratorja e qytetit, Milena Maroviç-Bogdanoviç ishin në mesin e të ndaluarve.
Ish-kryetarët e bashkive, Rajko Kuljaca dhe Dragan Maroviç, si edhe Aleksandar Tiçiç, këshilltar i kryeministrit Milo Gjukanoviç u arrestuan gjithashtu.
Milena Maroviç-Bogdanoviç është vajza e ish-presidentit malazez, Svetozar Marovic.
Dragan Maroviç është vëllai i tij.
Të dyshuarit ndodhen në ndalim 48-orësh. Avokatët e tyre thanë se të gjithë ata i kishin mohuar akuzat.
Katniç tha se një person tjetër nuk ishte arrestuar pasi ndodhej jashtë shtetit. Ai refuzoi të spekulonte se bëhej fjalë për Svetozar Maroviç.
Mali i Zi, ish-republika e fundit jugosllave e shkëputur nga Serbia, në 2006-tën, ka hapur bisedimet e anëtarësimit me BE-në, por përballet me përsëritjen e kërkesës për luftën kundër korrupsionit në sistem.