”Policia bleu votat në Gjirokastër”/ Gjykata dënon përfaqësuesit e PD-së. Selia blu: Gjyqtari i korruptuar
Gjykata ka dënuar për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që denoncuan përfshirjen e policisë në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas përfaqësuesve të PD-së, drejtues e ish-drejtues policie, në bashkëpunim me kriminelë kanë blerë votat në qarkun jugor, duke deformuar vullnetin qytetar.
Selia blu në një reagim zyrtar, thotë se gjyqtarët e korruptuar, si Bedri Qori i dhanë sot Edi Ramës të drejtën për të përdorur policë të perfshirë në trafikun e drogës, si Olsian Bistro, për të legjitimuar vjedhjen e zgjedhjeve.
“Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore”.
PD-ja nënvizon se vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.
“Nuk është shpifje që Olsian Bistro është i përfshirë në trafikun e drogës, gjatë kohës kur drejtonte Komisariatin e Pogradecit. Ky informacion i përket Shërbimit Informativ Shtetëror, që e identifikoi Olsian Bistron në listën e 128 policëve të përfshirë në trafikun e drogës në 2016-ën”.