Policia dëgjon Ramën/Gjoba për 2606 qytetarë, 13 biznese do paguajnë nga 1 mln lekë dhe heqje e 61 patentave

Një ditë pasi kryeministri Edi Rama foli për shtim të gjobave, nisur nga situata e pandemisë në vend, duket se Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë. 2606 qytetarë janë gjobitur për mosmbajtje të maskës, kurse 13 pronarë lokalesh janë gjobitur me 1 mln lekë për thyerje të rregullave anti-covid. Nga ana tjetër, mësohet se 61 shoferëve u janë pezulluar patentat pasi po lëviznin pas orës 22:00. ”2 administratorë lokalesh janë ndëshkuar me pezullim të aktivitetit për 6 muaj, pasi janë konstatuar në shkelje të përsëritur. 41 prej shoferëve të ndëshkuar u është pezulluar patenta për tre vjet, kurse 52 të tjerë janë ndëshkuar me nga 10.000 lekë”,-informon Policia.

Njoftimi i plotë nga Policia e Shtetit

Intensifikohen kontrollet për zbatimin e masave anticovid. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë mbrëmjes së djeshme, në Tiranë janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit, 61 drejtues mjetesh, të cilët u konstatuan duke lëvizur me mjet pas orës 22:00.

Swiss Digital Desktop Reklama

Po në kuadër të monitorimit të zbatimit të masave anticovid, gjatë ditëve të fundit, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, për mosvendosjen e maskës, 2606 shtetas; 13 administratorë dhe pronarë lokalesh që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë janë ndëshkuar me nga 1.000.000 lekë; 2 administratorë lokalesh me pezullim të aktivitetit për 6 muaj, pasi janë konstatuar në shkelje të përsëritur; 41 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit për tre vjet,52 shtetas janë ndëshkuar me nga 10.000 lekë, pasi janë konstatuar duke lëvizur pas orës 22:00.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pas apelit dhe thirrjes drejtuar qytetarëve për respektim me rigorozitet të masave kufizuese anticovid, ka dalë sërish në terren për të monitoruar nga afër zbatimin e këtyre masave.

Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid, pronarët dhe administratorët e lokaleve të zbatojnë protokollet e sigurisë, ndërsa drejtuesit e automjeteve të respektojnë orën policore, pasi kontrollet do intensifikohen akoma më tej, në bashkëpunim edhe me Task Forcën, për të bërë të mundur ndërprerjen e zinxhirit të infektimit të qytetarëve me Covid-19.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?