Policia: I dyshuari donte t’i thyente gjunjët zonjës Pelosi
SAN FRANÇISKO – Personi që akuzohet për sulmin me çekiç ndaj bashkëshortit të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, i tha policisë se donte ta merrte peng drejtuesen demokrate dhe “t’i thyente kupat e gjurit” për t’i treguar anëtarëve të tjerë të Kongresit, se kishte “pasoja për veprimet”, njoftuan autoritetet të hënën.
Në një dokument rrënqethës, zyrtarët thonë se David DePape, 42 vjeç, kishte marrë me vete në çantën e shpinës pranga plastike, një litar dhe shirit ngjitës. Ai hyri me forcë në shtëpinë e çiftit në San Françisko mëngjesin e së premtes, u ngjit në katin e sipërm ku po flinte 82 vjeçari Paul Pelosi dhe kërkoi të fliste me “Nancy-in”.
“Kjo shtëpi dhe vetë kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve ishin konkretisht objektivi”, tha prokurorja e San Françiskos, Brooke Jenkins, gjatë një konference për shtyp të hënën në mbrëmje, duke njoftuar akuzat ndaj zotit DePape, përfshirë tentativë për vrasje.
“Kjo ishte e motivuar politikisht”, tha zonja Jenkins. Ajo i bëri thirrje publikut të ketë “kujdes me fjalët që themi dhe të ulim volumin e retorikës sonë politike”.
Padia federale bën kontrast përkundër përqeshjeve dhe teorive të konspiracionit për sulmin në shtëpinë e çiftit Pelosi, të qarkulluara nga personazhe të së djathtës së largët dhe madje edhe nga disa zyrtarë kryesorë republikanë, vetëm një javë përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Në një aktivitet elektoral të hënën në Arizona, Kari Lake, kandidatja republikane për guvernatore, mori të qeshura të përzemërta ndërsa bënte shaka për sigurinë në shtëpinë e çiftit Pelosi.
Për më tepër, zoti DePape akuzohet për ndikim, pengim ose ndëshkim të një zyrtari federal, duke kërcënuar ose plagosur një anëtar të familjes. Ai gjithashtu përballet me një akuzë për tentativë rrëmbimi të një zyrtari të Shteteve të Bashkuara për shkak të kryerjes së detyrave zyrtare.
Asnjë avokat nuk është regjistruar për të marrë përsipër mbrojtjen për zotin DePape. Ai do të dalë në gjyq të martën dhe prokurorët do të kërkojnë që ai të mbahet në burg pa të drejtën për lirim me kusht.
Kur Paul Pelosi i befasuar i tha sulmuesit se zonja Pelosi nuk ishte aty, DePape tha se do të priste – edhe pasi iu tha se nuk do të ishte në shtëpi për disa ditë. Sulmuesi më pas filloi të nxirrte kravata, për ta lidhur, thuhet në padi.
“Duke i thyer gjunjët Nancy-t, asaj më pas do t’i duhej të futej në Kongres me karrocë, gjë që do t’u tregonte anëtarëve të tjerë të Kongresit se kishte pasoja për veprimet”, citon padia fjalët e zotit DePape thënë hetuesve.