Policia përplaset me çamët te Ministria e Jashtme. Shpëtim Idrizi: Kryeministri është tradhtar, të turremi para kryeministrisë!

Komuniteti çam në Tiranë ka dalë në protestë para Ministrisë së Jashtme, ku ndodhet ministri i Jashtëm grek. Ndërkohë ka nisur përplasja mes çamëve dhe policisë te Ministria e Jashtme. Situata është tensionuar. Kreu i PDIU, Idrizi ka deklaruar se janë shoqëruar 22 protestues, që janë çamë.

Idrizi dhe përkrahësit e PDIU-së janë përplasur me forcat e rendit, të cilët nuk i kanë lejuar të afrohen pranë portave të Ministrisë së Jashtme për të protestuar ndaj ministrit të jashtëm.

Deri tani janë 22 të shoqëruar dhe nuk i kuptoj se ça bënë këto 22 veta dhe në këto kushte më vjen keq sot që nuk jam me ata atje. Ato që janë shoqëruar janë çamë“, tha Idrizi.

Më pas Idrizi sulmoi kryeministrin Rama si tradhtar të trojeve të shtetit shqiptar dhe u ka bërë thirrje protuestëve të shkojnë para kryeministrisë, ku do shkojë ministri jashtëm grek.

Po kështu edhe Lëvizja ‘Vetëvendosja’ me seli në Tiranë ka reaguar për arrestimin e kreut të saj, Boiken Abazi nga policia në momentin që po shkonte të merrte pjesë në tubimin për Çamërinë.

Ja reagimi i plotë.

Arrestim i porositur e i padrejtë.

Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ky arrestim është tipikisht i porositur. Arrestimi u krye para se të fillonte tubimi, madje para se Boiken Abazi të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin.

Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufive detarë.

Shënjestrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Boiken Abazit tregon për një politikë të fëlliqur që po bën qeveria Rama, duke dashur të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara.

Bëjmë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë!

SHKARKO APP