Policia vrau 25-vjeçarin, ministri Sandër Lleshaj: Ngushëllimet e mia
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka reaguar pas 24 orëve nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga Policia e Shtetit. Ai thotë se organet ligjore do të finalizojnë jashtë çdo ndikmi, këtë vrasje dhe teksa shpreh ngushëllimet, në asnjë rrjesht nuk ka folur për mbajtje përgjegjësie. ”Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë”,-shkruan Lleshaj në facebook.
Postimi i plotë
E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH
Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.
Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.
Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.
Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.