Politika e 2021/ Rama fitoi, “Foltorja” e Berishës dhe shkarkimi i Metës. Skandale, dhe pranga politikanëve

2021 ka qenë një vit me ngjarje politike të mëdha, si fitorja e Edi Ramës në zgjedhjet parlamentare, shpallja “non-grata”nga SHBA-ja për Sali Berishën, si edhe lufta në PD

Nga: Redjon Shtylla

2021 ishte një vit fitoresh dhe humbjesh në politikë. Zgjedhjet e 25 prillit mbajtën të mbërthyer vendin në katër muajt e para të vitit, ku përplasjet mes kundërshtarëve politikë nuk munguan. Në verë ardhja e afganëve në Shqipëri tërhoqi vëmendjen e botës, por vera u ndez edhe më shumë me shkarkimin e Ilir Metës si President nga Kuvendi, por shpallja e Sali Berishës si person “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit çoi Partinë Demokratike në një përçarje, në një përballje mes palëve, të atyre që mbështesin Lulzim Bashën me ata që janë pro liderit historik të demokratëve. Lëvizja e ish-kryeministrit përmes “Foltores” në të gjithë Shqipërinë, rizgjoi PD, e cila deri më dje nuk frymëzonte dhe ishte e përçarë. Lulzim Basha shkarkoi edhe disa deputetë nga funksionet në PD, si një lloj hakëmarrje ndaj tyre që mbështetën Sali Berishën. Për herë të parë, në 2021 u prangosën zyrtarë të lartë të politikës, si ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-kryebashkiaku i Lushnjes, kryetari i bashkisë së Mallakastrës, apo dhe ish-zv/ministrja e Bnrendshme, Rovena Voda. 2022 merr me vete shumë ngjarje të lëna pezull, si fati i Ilir Metës dhe se kush do të marrë frenat e PD-së, pasi Sali Berisha është shprehur i gatshëm për rikthimin e tij si kryetar i demokratëve.

22 janar, Yuri Kim zbulon sinjalin e SHBA-së për 25 prillin: Kontrolloni kandidatët

Mesazhin e parë për vitin 2021, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e dha për zgjedhjet e 25 prillit. Për të Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që partitë politike të jenë në garë me kandidatë të pastër. Edhe gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj, përfshija e ambasadores Yuri Kim nuk ka munguar. “Nëse doni të dini nëse ky paralajmërim mbetet i vlefshëm, kjo është ajo që Tony Blinken, i nominuari i Presidentit Biden për Sekretar i Shtetit, tha në seancë para Senatit: Ne duam të lartësojmë punën në luftimin e korrupsionit”, shkruan Kim.

24 shkurt, negociatat e vështira të Bashës. 13 partitë që garojnë bashkë me demokratët

Partia Demokratike shkoi në zgjedhjet e 25 prillit me 12 parti të tjera, shumica aleat tradicionalë. Koalicioni opozitar përbëhet nga 13 parti. Emri i koalicionit është “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”. Partia udhëheqëse e koalicionit është Partia Demokratike. Kjo shkresë u dorëzua pas takimeve të shumta të Kryetarit të PD-së, Lulzim Basha me partitë e tjera politike. Krahas aleateve që përbënin opozitën e bashkuar si i Partisë Republikane, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Partisë Agrare Ambientaliste, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Lëvizja e Legalitetit, Bashkimi Liberal Demokrat, Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimi Demokrat dhe Kristian-demokrat, si dhe Fryma e Re Demokrate.

25 shkurt, Bamir Topi jep dorëheqjen nga partia FRD-ja

Bamir Topi ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë Fryma e Re Demokratike. “Në shprehje të vullnetit TIM, deklaroj dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme, nga detyra e Kryetarit të Partisë “Fryma e re Demokratike””, thuhet në letrën e dorëheqjes. Vendimi i papritur i Bamir Topit vjen një ditë pasi përfaqësuesi i FRD-së, Sali Shehu firmosi marrëveshjen me kryedemokratin Lulzim Basha për të qenë pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet e 25 prillit. Kryesimin e FRD-së e merr pikërisht Sali Shehu.

1 mars, PD dhe LSI firmosin koalicion paszgjedhor me 13 pika

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi kanë firmosur marrëveshjen e tyre publikisht, disa pika të cilat ua paraqitën shqiptarëve ku treguan pse dolën për zgjedhjet e 25 prillit në dy koalicione me vete. Ndër 13 pikat e kësaj marrëveshje mes PD dhe LSI, janë plani për pandeminë Covid-19, për rindërtimin e banesave, për rikthimin e pronave për komunitetet fetare, plan kundër krimit të organizuar, integrimin e rolit të gruas në vendimmarrje, punësimi, emigrimi dhe anëtarësimi në BE. Një aleancë kundër dështimeve të Ramës e quajti Kryemadhi marrëveshjen, kurse Basha tha se fillon udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë.

3 dhe 8 mars, Vasilika Hysi dhe Englantina Gjermeni ikin nga PS-ja

Vasilika Hysi vendosi që pas 12 viteve të largohet nga angazhimet e saj nga Partia Socialiste. “Vasilika më ka bërë me dije se ka vendosur t’u hapë rrugën kalamajve. Vasilika me gjithë konsideratën dhe besoj nuk kishte vend më të mirë se ky, ku ti ke një rol kyç për ç’ka kemi bërë për reformën në drejtësi”,-tha Rama. Edhe Eglantina Gjermeni, nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PS-së. Gjermeni nuk do të jetë kandidate për deputete në zgjedhjet e 25 prillit. Në mesazhin e Kryeministrisë, thuhet ndër të tjera se Hysi dhe Gjermeni sollën në PS vlera e kontribute të reja dhe për 12 vjet rresht e përfaqësuan PS-në me dinjitet e profesionalizëm, në Kuvend e në Qeveri.

9 mars, debat në kryesinë e PS-së. Rama: Nga treni zbrite vetë. Bushati: Mos kandido të inkriminuarit

Listat e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit janë me ndryshime të forta, ku ajka është lënë jashtë. Më 9 mars u mbajt mbledhja e kryesisë së PS-së. Edi Rama, iu përgjigj ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, duke thënë se nga treni vendosi të zbresë vetë. “Mund të na quash çfarë të duash, të gjitha këto që thua mund të jenë të vërteta, përsa kohë kemi këtë opozitë përballë, ne do të vazhdojmë të jemi këtu derisa të dalë një forcë e re që të na fshijë të gjithëve. Që kur të larguam nga Shkodra, qoftë për një vendim të gabuar, ti nuk shkove të punoje në Shkodër”, është shprehur Rama. Bushati tha se “Partia shtet e mban pushtetin, por nuk është ajo që ëndërrojnë shqiptarët. Nëse do të ma pranoni një këshillë personale, personat e lidhur me inceneratorët, gjakderdhje financiare, lavatriçen e betonit, krimin, PPP-në, mos i përfshini në lista sa jeni ende në kohë”.

12 mars, kandidatja e PS Luljeta Bozo: Komunizmi, më shumë anë pozitive se negative

Inxhinierja Luljeta Bozo vazhdon të jetë kandidatja më e përfolur e Partisë Socialiste, për zgjedhjet e 25 prillit. Bozo u bë e njohur për publikun pas tërmetit të 26 nëntorit, dy vite më parë. Bozo ka shkaktuar habi me deklaratën e saj në studion televizive të “Dekalog” në RTSH. E pyetur për kohën e komunizmit e të Enver Hoxhës, ajo u shpreh me bindje se periudha e regjimit 45-vjeçar kishte më shumë të mira sesa efekte negative në vend. “Po t’i vësh në balancë, ka më shumë anë pozitive sesa negative”. Më vonë Bozo sqaroi se nuk është anëtare e asnjë partie politike dhe kandidon si profesioniste e lirë, thotë se deklarata e saj është nxjerr nga konteksti pasi nuk ka dhënë vetëm vlerësime për sistemin komunist, por edhe të metat e tij.

14 mars, “luftë” politike për Ditën e Verës në Elbasan, grushta mes militantëve të PS-PD

Festimet për Ditën e Verës në Elbasan, kanë bërë që në qytet të jenë të pranishëm dy liderët e forcave politike të PS dhe PD-së, ndaj dhe mbështetësit e tyre kanë dalë për ti pritur. Një video e publikuar në mediat online tregoi momentet kur në Elbasan sulmohen fizikisht ish-deputetët e PD-së. Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se shkoi në qytetin e Elbasanit i shoqëruar nga banditë me armë në brez. Basha po ashtu i bëri thirrje Ramës që të heqë dorë nga shoqërimi me kriminelët. Rama shpërtheu në akuza dhe sulme personale ndaj Bashës. “Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë”.

25 mars, PD dhe PS çelin fushatën. Basha: Edhe 31 ditë na ndajnë nga ndryshimi. Rama: Dua dhe 4 vjet të tjera

Partia Demokratike çeli fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Për të respektuar rregullat kundër pandemisë, PD zgjodhi që qytetarët të qëndrojnë brenda automjeteve të tyre. “Po luftojmë kundër një grushti njerëzish. Një grushti njerëzish që janë të aftë të grabisin gjithçka në një mënyrë grabitqare. Ditë pas dite kam shkuar në çdo qytet, në çdo kënd të Shqipërisë. Kam ndjerë etjen për ndryshim”,-tha  Basha. Kryeministri Edi Rama ishte në sheshin “Skënderbej” ku hapi fushatën elektorale për PS-në, ku në shesh ishin vetëm kandidatët për deputet. Ai kërkoi pa u skuqur fare për 8 vjet qeverisje, edhe 4 vite të tjera. “Kanë frikë nga gjykimi i popullit në zgjedhje. Prandaj kërcënojnë rrugëve se s’do ta lejojnë popullin të zgjedhë. Kanë frikë nga ballafaqimi demokratik”.

29 mars, virusi i merr jetën politikanit dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino

Politikani i njohur shqiptar, Bashkim Fino humbi jetën si pasojë e Covid-19. Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe deputeti socialist u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare. Bashkim Fino ka një karrierë të gjatë politike dhe të hershme në Partinë Socialiste. Fino ka mbajtur gjithashtu  disa poste ministrore. Fino prej vitesh ishte deputet i Parlamentit një figurë dhe zë i spikatur. Partitë në vend anuluan takimet elektorale dhe u shpall ditë zie Komëtare. Rrugëtimin politik e nisi në vitin 1992, kur u zgjodh kryetar i Bashkisë Gjirokastër nën siglën e PS-së. Emri i tij gjeti konsensus në vitin e vështirë 1997. Bashkim Fino u thirr për të drejtuar qeverinë e pajtimit kombëtar nga marsi në korrik, pasi u mbajtën zgjedhjet e parakohshme që sollën Partinë Socialiste në pushtet, ndërsa kalimi i demokratëve në opozitë u shoqërua edhe me dorëheqjen e Presidentit të kohës, Sali Berisha.

7 prill, greva e Albcontroll mbyll aeroportin e vetëm në Shqipëri “Nënë Tereza”

Aeroporti i Rinasit u mbyll për shkak të grevës së 65 kontrollorëve të Albcontroll. Situata ka dalë jashtë kontrollit. Qindra qytetarë kanë qendruar në pritje në Aeroport. Debati merr ngjyrime politike. Shqipëria i ka të mbyllura të gjitha fluturimet hyrëse dhe dalëse ende pa afat. Një situatë e paprecedentë dhe kaotike, ku 65 kontrollorët e Albcontrol (një kompani me kapital 100% shtetërore), refuzuan të dilnin në punë pasi firmosën edhe deklaratën e paaftësisë në punë. Ata kërkojnë që paga e tyre të vazhdojë si përpara pandemisë në mbi 4 mijë dollarë dhe për këtë kërkojnë ndërhyrjen e ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

11 prill, plas skandali i parë me të dhënat e 910 mijë votuesëve. Patronazhistët e PS-së

Nën ethet e “mandatit të tretë” në 25 Prill, Partia Socialiste e ka çuar gjurmimin e votuesve në një nivel tjetër. Në zyrat elektorale të PS-së është vënë në dispozicion një sistem të dhënash, që ngre dyshime të forta për përdorimin e database shtetërore të E-Albania në funksion të partisë në pushtet. Fjala është për një database ku janë të përfshira të dhëna konfidenciale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99-vjeç. Dokumenti përmban të dhënat personale të secilit prej nesh, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit. Muaj më vonë, Rama tha se është shumë krenar për patronazhistët, se sa ishte para zgjedhjeve. Ai shtoi se kontributi i tyre ishte i pakrahasueshëm dhe PS arriti falë tyre të merrte 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.

25 prill, shqiptarët votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe në garë janë 4 parti

Më 25 prill,  46.32% e qytetarëve me të drejtë vote kanë votuar. Përqindja më e lartë ka qenë e burrave. 52.34% kanë qenë votues burra dhe 47.6% gra. Në ditën e zgjedhjeve nuk u raportuan incidente të rënda. PD-ja dhe LSI-ja ankimuan rezultatin, duke kërkuar shpalljen e pavlefshme të rezultatit dhe ripërsëritjen e tyre. Një nga një KAS rrëzoi qarqet, por opozita nuk u dorëzua dhe u ankuan në Kolegjin Zgjedhor. Ky i fundit vuri vulën e zgjedhjeve të 25 prillit, pa ndryshim rezultati. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste, që mundi të siguronte kështu mandatin e tretë qeverisës, për herë të parë në 30 vite pluralizëm.  Në Kuvendin e ri deputetja më e re në moshë është nga radhët e Partisë Demokratike, Andia Ulliri, ndërsa ajo më e vjetër në moshë është nga radhët e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo. 128 deputetë janë nën moshën 60-vjeç dhe 12 të tjerë nga mosha 61-79 vjeç. Sa i përket partive moshën më të re mesatare e ka LSI-ja, e ndjekur nga PS-ja, pastaj vjen PD-ja dhe PSD-ja.

28 prill, gara e 25 prillit mbaron. PS merr 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe 3 PSD

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, një parti fiton për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste fitoi më 25 prill 74 mandate dhe siguroi vijimin e qeverisë, këtë herë qeveria “Rama 3”. Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk ka arritur që të sjellë ndryshimin e premtuar, duke dalë në këto zgjedhje si forcë e dytë, ose 39.43 % të votave. Megjithatë, ia vlen të theksohet se demokratët kanë njohur një rritje krahasuar me zgjedhjet e 2017, ku nga 46 mandate që kanë pasur, në 25 prill kanë marrë 59. Më e dëmtuar doli LSI, me vetëm 4 mandate të fituara. Në zgjedhjet e 2017, LSI-ja mori 19 mandate. Pas katër vitesh nën drejtimin e Monika Kryemadhit, në zgjedhjet e 25 prillit 2021, LSI ka marrë vetëm 4 mandate, rreth 110 mijë vota ose 6.82 %. Surpriza e këtyre zgjedhjeve ishte PSD e Tom Doshit që mori 3 mandate, 2 në Shkodër dhe 1 në Tiranë, ku po aq surprizë ishte vendimi i tij për t’u tërhequr nga marrja e mandatit me një dorëheqje të parevokueshme, teksa tha se do bëjë koalicion me PS.

30 prill, KQZ shpall listën zyrtare të kandidatëve fitues të mandatit të deputetit

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat, konfirmoi emrat e deputetëve që kanë fituar mandatin për të qenë në Kuvendin e Shqipërisë për katër vjeçarin e ardhshëm. Ai tha se edhe sa përqind e qytetarëve kanë votuar edhe për kandidatët për secilat parti. “Për PSD votat parapëlqyese janë 78.48% e votuesve kanë votuar edhe për kandidat, pjesë tjetër vetëm partinë. Për LSI-në, nga totali i votave 76.23% e votave kanë votuar edhe për kandidatëvet e partisë. Për Partinë Demokratike 76.71% votë preferenciale për kandidatët. Ndërkohë që për PS janë 74.75% ë votuesve që kanë dhenë edhe votë për kandidatët”,-tha Celibashi. Në radhët e socialistëve ishin dy deputetë që thyen pragun e votave duke lënë jashtë kolegët e tyre që ishin renditur më lart në listë, Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi. Ndërsa në radhët e demokratëve ishte Luçiano Boçi që theu herësin duke fituar një vend në Parlament.

30 prill, Meta: Një grup i strukturual kriminal ka dërguar mesazhe fyese gjoja në emrin e Presidentit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u kërkoi ndjesë qytetarëve, teksa foli për mesazhe fyese të dërguara sipas tij nga një grup i strukturuar kriminal, në emër të kreut të Shtetit. “Së pari dua tu kërkoj ndjesë gjithë qytetarëve të cilëve një grup i strukturuar kriminal u ka dërguar mesazhe fyese gjoja në emër të Presidentit të Republikës, të cilat janë konfirmuar nga disa personalitete publike por edhe të njohur të presidentit. Lidhur me këtë skandal ku një grup kriminal keqpërdor të dhënat personale të presidentit për të shantazhuar qytetarët, i kam drejtuar kompanisë telefonike një kërkesë teknike. Shumë shpejt do të nisim procedurat ligjore. Edhe ju gazetarët se mos merrni ndonjë mesash nga Presidenti Republikës, që ka marrëdhëniet më korrekte me gazetarët”.

4 maj, “Defender Europe 21”, stërvitja e madhe ushtarake e NATO-s në Shqipëri

Më 4 maj në Shqipëri nisi stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 21”, drejtuar nga ushtria amerikane si pjesë e NATO-s me tre komponentët tokësor, detar dhe ajror. Tre gjeneralë amerikanë me katër yje dhe 28 mijë trupa ushtarakë nga 26 vende ishin në vend. Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes ushtarake “Defender Europe 21”, kryeministri Edi Rama e ka quajtur një moment historik për marrëdhëniet me NATO-n. Kreu i qeverisë u shpreh se ky është një moment historik që na mbush me krenari, por dhe me përgjegjësi. Por nuk është veç ky “zbarkim” ushtarak që tregon rritjen e interesin amerikan. Së fundmi ka një intesifikim të aktivitetit diplomatik amerikan ndaj Shqipërisë. Nuk ka ngjarje apo zhvillim politik në Shqipëri që diplomacia amerikane të mos jetë e angazhuar gjë që tregon se zbarkimi amerikan në vendin tonë është në të gjitha aspektet.

7 maj, SHBA për zgjedhjet: Në 25 prill pati blerje votash. Administrata u përdor politikisht

Misioni i SHBA pranë selisë qendrore të OSBE në Vjenë doli me një deklaratë të fortë në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Ambasadorja Elisabeth Rosenstock-Stiller, theksoi se PS pati një avantazh të pabarabartë në këto zgjedhje pasi përdori makinerinë shtetërore. Ajo ngriti edhe shqetësimin për skandalin e të dhënave. “Ndërsa ka shumë aspekte pozitive të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, SHBA vëren se gjetjet e misionit vëzhgues të OSBE tregojnë se partia në pushtet ka pasur avantazhe domethënëse nga pushteti i saj, përfshirë edhe kontrollin e administratës lokale dhe keqpërdorimin e burimeve administrative. Ne gjithashtu vërejmë se gjetjet e tyre tregojnë për një praktikë të përhapur të blerjes së votave, që mbetet ende një problem, dhe gjithashtu shprehim shqetësim në lidhje me rrjedhjen e të dhënave personale tejet sensitive, përfshirë edhe preferencat politike të qytetarëve”.

19 maj, SHBA shpall Sali Berishën dhe familjen e tij persona “non-grata”

SHBA-ja shpalli “non-grata” një ish-president në Shqipëri. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha se Sali Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend. Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. “Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante më 19 maj, sekretari Amerikan i Shtetit. Pas këtij vendimi, situata në Partinë Demokratike ndryshoi 360 gradë. Sali Berisha tha se ka udhëzuar avokatin e tij në Francë të nisë procedurat për padinë. “Për arsye të cilat janë të panjohura për mua, sekretari i DASH, Blinken ka publikuar pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrën më të papritur dhe shpifësë vlerësime të gënjeshtërta për personalitetin tim”.

9 qershor, Kuvendi jep 104 vota pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta

Më 9 qershor, me 104 vota Parlamenti i Shqipërisë miratoi ngritjen e Komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Në seancë morën pjesë në total 114 deputetë. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan. Rama tha se Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar, ka dhunuar ndarjen e pushteteve, ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhëniet me SHBA. Është Gjykata Kushtetese që e ka në dorë. PS-ja nisi procedurat për shkarkimin e presidentit, për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi fillimisht nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhje të 25 prillit, pasi Meta i shpalli luftë SHBA dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

10 qershor, prokuroria: 53 procedime penale dhe 5 të arrestuar për 25 prillin

Për zgjedhjet e 25 prillit, prokuroria thotë se ka 53 njoftime për vepra penale. Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim. “Nga raportimet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm mbi veprat penale në fushën e zgjedhjeve për periudhën parazgjedhore e deri më datë 08.06.2021 rezulton se prokuroritë kanë regjistruar procedimin penal për 53 njoftime për vepra penale në lidhje me zgjedhjet. Nga çështjet e regjistruara kanë përfunduar 7 prej tyre me 5 persona në hetim, prej të cilave 3 procedime me 3 persona nën hetim janë transferuar në SPAK, 1 është pushuar, 1 është pezulluar dhe 2 procedime me 2 të pandehur janë dërguar për gjykim”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

11 qershor, Shqipëria zgjidhet anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë të OKB

Për herë të parë pas anëtarësimit në OKB, Shqipëria u votua për të qenë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për një mandat 2-vjeçar. Mandati fillon më 1 janar 2022. Shqipëria u pranua anëtare e OKB në 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit. Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar. Veprimtaria e KS të OKB ka si prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Në funksion të këtij prioriteti KS gëzon të drejtën të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara dhe të aprovojë sanksione.

12 qershor, Kongresi i PS, Rama: Partia nuk do të bëhet mbulesë për asnjë zyrtar

Partia Socialiste mbajti më 12 qershor, Kongresin e partisë që përkoi me 30 vjetorin e krijimit dhe me rekordin e fitores së mandatit të 3 qeverisës. Drejtësia e re është vija e kuqe për Edi Rama. Kryesocialisti caktoi kufijtë e bashkëpunimit me opozitën. “Politika e ditës, larg sherreve dhe akuzave. Me PD bashkëpunojmë vetëm për të mirën e vendit. E kemi të shtrirë dorën e bashkëpunimit për interes të shqiptarëve”. Socialistët hapën rrugë një procesi të thellë analize në parti për rezultatin e 25 prillit, e cila do të nisë nga qeliza deri në qendër. Rama prezantoi institucionin e ri, të quajtur Këshillimi Kombëtar, ku qytetarët siç tha kryeministri do të kenë mundësi të dëgjohen. Rama paralajmëroi se flamuri i PS nuk do të bëhet mbulesë për asnjë zyrtar, qoftë ai ministër apo drejtor, nëse drejtësia e re do të kërkojë hesapë.

12 qershor, ikona e PS-së Gramoz Ruçi ikën nga politika pas 30 viteve

Pas 30 vite jetë aktive në politikë, në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, Gramoz Ruçi dha lajmin se nuk do të ishte më pjesë e politikës. “Më 9 shtator, që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj mandatin që më kanë dhënë socialistët dhe nuk do kem ambicien për të qenë në asnjë organ të zgjedhur të familjes time që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vjet”, tha Ruçi. Ai u shpreh se për shumë vite PS u akuzua si degë e Partisë së Punës. Ai kujtoi të gjithë themeluesit dhe bëri një falënderim të veçantë për Fatos Nanon dhe Ilir Metën. “Do të përshëndesja 4 të rinjtë që trokitën të parët Ndre Legisin, Ilir Metën, Ilir Zelën dhe Pandeli Majkon. Do të përshëndesja dhe Fatos Nanon. I dashur Fatos ne jemi krenar për ty për shumë gjëra. Por askush nuk thotë dot që Fatos Nano nuk është politikan. Ne jemi krenar që kemi pasur Nanon kryetar.  Në dy mandate ne ngritëm shtetin dhe e vendosëm në binarë. Përballuam luftën e Kosovës”.

13 qershor, Lulzim Basha rizgjidhet në krye të PD-së pas humbjes së zgjedhjeve

Pas humbjes më 25 prill në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i PD-së. Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve që u mbajtën më 13 qershor në degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë, ku rezulton se Basha ka fituar 81 për qind të votave përballë tre kandidatëve të tjerë. “Rezulton se nga 75.067 anëtarë të Partisë Demokratike, kanë votuar 41.097 anëtarë. Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413. Vota të vlefshme janë 40.684 vota”, u shpreh Gjana. Në garë për këtë post ishin kryetari aktual Lulzim Basha, deputeti i zgjedhur i kësaj partie Agron Shehaj dhe dy kandidatë të tjerë, ish-zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi dhe ish- deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli.

21 qershor, Monika Kryemadhi zgjedh mandatin e Fierit dhe shpëton Petrin Vasilin

Në zgjedhjet e 25 prillit, LSI-ja mori vetëm 4 mandate. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, zgjodhi mandatin e deputetit në qarkun e Fierit, duke i hapur rrugën Petrit Vasilit që të marrë mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës dhe duke përjashtuar në këtë mënyrë të renditurën e dytë në qarkun e Fierit, Kejdi Mehmetajn. Në përgjigje të shkresës së Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, Kryemadhi tha se ka zgjedhur me vullnet të plotë mandatin e deputetes në Fier. LSI-ja mori 4 mandate deputeti në zgjedhjet e 25 qershorit, dy në Tiranë, një në Shkodër dhe një në Fier. Pas vendimit pati edhe reagime në rrjete sociale, ku u gjykua që LSI nuk i dha mandatin një të riu si Mehmetaj.

30 qershor, Edi Rama emëron vajzën e Bashkim Finos si zv/ministre për Europën dhe Punët e Jashtme

Një figurë e panjohur më parë, por Megi Fino, vajza e të ndjerit Bashkim Fino, është emëruar zv/ministre për Europën dhe Punët e Jashtme. Vendimi u miratua në këshillin e ministrave me propozim të kryeministrit Edi Rama. Ajo paralajmëroi angazhimin e saj në Partinë Socialiste si përmbushje të amanetit të të atit vetëm pak ditë më parë. Janë liruar nga detyra Etjen Xhafaj, i cili deri tani ka mbajtur postin e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Petro Koçi, i cili lë postin e zv/ministrit të Mbrojtjes. Arsyeja e lirimit nga detyra të zv/ministrave lidhet me faktin se nga shtatori do të futen në Kuvend, pasi në zgjedhjet e 25 prillit u zgjodhën deputetë. Xhafaj u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës, kurse Koçi deputet në Fier.

7 korrik, Armela Krasniqi zgjidhet kreu i AMA-s, por SHBA dhe BE dalin kundër

Armela Krasniqi është zgjedhur kryetarja e re e AMA-s, pasi mori shumicën e votave në Kuvend. Me 83 vota, tashmë AMA do të ketë drejtuesin e ri. Por ky votim nuk u mbështet nga BE dhe OSBE në vendin tonë. BE-ja thekson se ka paraqitur gjithashtu kërkesa të reja, të cilat sipas saj do të garantonin pavarësi të plotë për rregullatorët kombëtarë të mediave, përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit. Për drejtimin e AMA-s shprehën interesim Armela Krasniqi dhe Alketa Dibra, ndërsa me shumicë votash Kuvendi i Republikës në seancën e fundit të kësaj legjislature zgjodhi Krasniqin për të drejtuar institucionin në fjalë.

6 korrik, nis vala e arrestimeve vip. Në pranga bie kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe

Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe është arrestuar nga policia. SPAK-u nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. “Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me metodat tradicionale të hetimit”,-thuhet në një deklaratë të SPAK. Tushe një ish-deputet i Partisë Socialiste e drejtoi Bashkinë e Lushnjes prej vitit 2011. Në 31 dhjetor 2019, Tushe mbeti i plagosur pas një granate të hedhur në zyrën e tij nga një ish-shofer i bashkisë.

13 korrik, Rovena Voda merr arkë me peshk dhe dy mijë euro për një punësim

SPAK-u ka shtrirë hetimet në çdo qelizë të Ministrisë së Brendshme. Gjykata e Posaçme ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-zv/ministren e Brendshme, Rovena Voda për veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Vendimi është marrë pas një hetimi nga SPAK, ku del që Voda është paguar në euro dhe me arka me peshk nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu, për të emëruar këtë të fundit me DAP (Departamenti i Administratës Publike).

27 gusht, Mark Marku heq dorë nga mandati i deputetit

Mark Marku nuk do të jetë deputet.  I zgjedhur si deputet pasi drejtoi fushatën e PD-së në Lezhë, Marku është tejet i qartë në arsyet e dorëheqjes, që kanë të bëjnë të gjitha në vizionin e opozitës. Ai sqaron etapat e njëpasnjëshme të rënies së vazhdueshme të PD-së në një rutinë humbëse, duke qartësuar me argumente se Basha është thjesht kryetar i partisë së Berishës.

27 gusht, mbërrijnë afganët e parë në Shqipëri

Pas luftës në Afganistan, ku talebanët rrëmbyen Kabulin dhe me miliona qytetarë afganë u detyruan që të linin vendin e tyre. Krahët menjëherë i pati Shqipëria, një vendim që bëri jehonë dhe u vlerësua gjesti i qeverisë “Rama”, pasi asnjë vend nuk hapi dyert për një popull që po jetonte nën frikën e vdekjes. Sipas qeverisë shqiptare, vendi ynë mund të presë deri në 4000 afganë, të cilët do të strehohen përkohësisht, pasi si destinacion kryesor kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përmes një letre zyrtare të dërguar Ministrisë së Jashtme, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony J. Blinken ka falënderuar Shqipërinë për angazhimin e saj për strehimin e refugjatëve afganë në vendin tonë, pas rimarrjes së pushtetit nga ana e talibanëve. Fillimisht afganët u vendosën në Qyteti Studenti, dhe më pas u dërguan në hotelet në zonën e Velipojës.

30 gusht, Luan Rama ikën nga LSI: Nuk është tradhëti

Luan Rama është larguar nga të gjitha funksionet që ka pasur në LSI, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha sesi drejtues i duhet të mbajë përgjegjësi, edhe në rast se nuk është përgjegjës për këtë humbje. Luan Rama thekson se rezultati që LSI arriti në qarkun e Vlorës është në nivelin e mundësive reale të votuesve që kjo parti ka në atë qark dhe nuk mjaftoi puna e tij që të arrinte rezultatin që meritonte. Ai thotë me bindje se figura e tij nuk e ka dëmtuar kurrë LSI-në por shton se në bazë të statutit të LSI-së, e ndjen si detyrë të jap shembullin që duhet menduar për partinë dhe dhe jo vetëm për interest vetjake. Një falenderim e ka edhe ish-kryetarin Ilir Meta dhe atë aktuale Monika Kryemadhi me premtimin se do të vazhdojë të kontribuojë për LSI-në.

1 shtator, Lefter Koka dorëzon mandatin e deputetit

Lefter Koka nuk do të betohet si deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Përmes një postimi në facebook, ai bën me dije vendimin për të mos e marrë mandatin e deputetit të fituar më 25 prill, si kandidat në qarkun e Durrësit. Ish-deputeti i LSI-së pohon se sot është koha që ai ta mbyllë këtë cikël në politikë. Koka thekson se me këtë vendim është njohur Kuvendi dhe KQZ-ja. “Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre! Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë”. Koka është deputeti i pestë i zgjedhur më 25 prill, që heq dorë nga mandati. Fillimisht këtë e bëri Tom Doshi. Më pas ishte kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Dorëheqjen e dha edhe Najada Çomo nga PS-ja si dhe Mark Marku nga PD-ja.

2 shtator, Edi Rama prezanton kabinetin e ri qeveritar. 12 zonja ministre

Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, prezantoi emrat e kabinetit qeveritar dhe të kryetares së re të Kuvendit të Shqipërisë. Në krye të Kuvendit do të jetë Lindita Nikolla. Ministri aktual i Rindërtimit Arben Ahmetaj është edhe zv/kryeministër, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministër i Mbrojtjes, Niko Peleshi. Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga Ulsi Manja, kurse Ministria e Brendshme nga Bledi Çuçi dhe në drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të jetë Delina Ibrahimaj. Në krye të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po Belinda Balluku dhe në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përsëri Ogerta Manastirliu. Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do ta drejtojë Evis Kushi. Ministria e Bujqërisë dhe Zhvillimit Rural do të drejtohet nga Frida Krifca, kurse në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit u propozua Mirela Kumbaro dhe për drejtimin e Ministrisë së Kulturës përsëri Elva Margariti. Qeveria e re ka katër ministra shteti, ku Elisa Spiropali sërish ministre shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është Edona Bilali, kurse për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi dhe Milva Ekonomi për Standardet dhe Shërbimet.

2 shtator, Kryesia e re e PS-së, Ditmir Bushati dhe Belinda Balluku më të votuarit

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati del më i votuari nga socialistët si anëtar i Kryesisë nga radhët e burrave. Bushati ka qenë një nga zërat më kritik brenda PS-së, por ka një mbështetje të madhe nga socialistët. Nga ana tjetër, më e votuara nga gratë është Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu, që të dyja do të vijojnë edhe në mandatin e tretë qeverisës të jenë ministre. Fituesit nga burrat: Pandeli Majko, Erion Braçe, Ditmir Bushati, Ilir Beqja, Arben Pëllumbi dhe Armando Subashi. Fituesit nga gratë: Olta Xhaçka, Belinda Balluku, Evis Kushi, Ogerta Manastirliu, Blerina Gjylameti dhe Mimi Kodheli.

9 shtator, Lulzim Basha përjashton Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD

Një ditë para nisjes së punës të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, dhe disa muaj pasi SHBA-ja kishte shpallur Sali Berishën, person “non-grata”, Lulzim Basha bëri me dije vendimin që ish-kryeministri përjashtohet nga grupi i PD-së. Për të ky vendim bëhet për të shmangur çdo keqkuptim deri në përfundim të kërkesës ligjore për transparencë.  “Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku PD-ja dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”.

10 shtator, PS voton Lindita Nikollën. PD gris fletën, LSI voton kundër

Pas një procesi që kaloi me tension, me 79 vota Lindita Nikolla është kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë. Në votim morën pjesë 137 deputetë nga 140 që janë në Kuvend. Sapo Nikolla mori fjalën, deputetët e PD-së përplasën duart mbi tavolinë dhe disa minuta më pas u larguan nga salla e Kuvendit të Shqipërisë. “Të dashur qytetarë dhe qytetarë shqiptarë. Të nderuar deputetë dhe deputetë është nder të jem këtu para popullit shqiptar. Është një nder që nuk thuhet dot me fjalë. Fjalët do t’i kursej me sa të mundem që t’ia lë kohë që do kemi së bashku”. Fletët e grisura nga deputetët e PD-së për votimin e Lindita Nikollës si kryetare e Kuevndit, i ka mbledhur kryeministri Edi Rama. Këtë veprim të Ramës e kanë duartrokitur deputetët e PS-së. Pasi i ka mbledhur dhe i ka futur në një qese, Rama i’a ka dorëzuar deputetit të PD-së Belind Këlliçi. Monika Kryemadhi nuk e ka krisur fletën, por ka ushtruar të drejën e votimit të rregullt, duke votuar kundër. Edhe deputetët e LSI-së, Agron Çela dhe Erisa Xhixho e ushtruan të drejtën e votës, po ashtu edhe ata kundër.

16 shtator, Sali Berisha 3 muaj takime me demokratët përmes “Foltores”

Që nga 16 shtatori, deri para Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, lideri historik i PD-së Sali Berisha zhvilloi takime me demokratët përmes “Foltores” në të gjitha degët e PD-së në mbarë Shqipërinë, ku rrjeshtoi të gjitha akuzat ndaj Lulzim Bashës dhe Edi Ramës. Takime online kishte edhe me demokratët që jetojnë e punojnë në SHBA. Pas 3 mujave ku denoncoi dhe analizoi 8 vitet e Lulzim Bashës si opozitar, Berisha ka kërkuar edhe falje për vendimet e tija në lidhje me të. Akuzat ndaj Edi Ramës nuk kanë munguar në 3 muaj. “Foltorja  është një uragan shprese, besimi se ky vend do të ndryshojë me shpejtësi të madhe. Për herë të pas 30 vitesh Shqipëria ka një llavë të tillë entuziazmi, e cila njësoj siç përmbysi diktaturën komuniste, do të përmbysë narkoshtetin e Edi Ramës”. Pjesë e “Foltores” ka qenë edhe aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari dhe shumë deputetë e ish-deputetë të PD-së.

18 shtator, qeveria “Rama 3” betohet te Presidenti Ilir Meta

Pasi mori besimin e 77 deputetëve në Kuvend, qeveria e re “Rama 3” është betuar edhe te Presidenti Ilir Meta, i cili më herët kishte dekretuar kabinetin e ri qeveritar. Në mbledhje, kryeministri Rama e ka njohur menjëherë kabinetin e ri me Kodin Etik që duhet të respektojnë ministrat, por edhe zëvendësit e tyre, duke përfshirë edhe ndalimin e udhëtimeve të luksit apo dhuratat.  5 shtyllat kryesore të programit të PS janë: 1-Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia; 2-Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që  krijon shanse për të gjithë. 3-Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë,  bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve; 4-Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen; 5-Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë.

24 shtator, kryeministri Edi Rama në OKB: Njihni Kosovën

Pas disa vizitave të sukseshme në New York, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Sesioni i 76-të, ku bëri thirrje për njohjen e Kosovës. “Kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk është opsesion, por ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo punë duhet të përfundohet. Dua ta theksoj, ta përsëris thirrjen, sepse realiteti na ka treguar neve, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, se një Kosovë e pavarur, e sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë shumë paqe në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur. Është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor”.

11 tetor, Basha shkarkon Flamur Nokën nga pozicioni si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shkarkoi nga funksioni i mënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Flamur Nokës, si dhe e ka paralajmëruar për përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar. “Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”.

18 tetor, tre protesta kundër rritjes së çmimeve, qytetarët: Jemi të vjedhur

Tre protesta u mbajtën nga qytetarët dhe shoqëria civile kundër rritjes së çmimeve. Protestat u mbajtën para Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama, si pasojë e krizës globale. “Kryeministri të deklarojë publikisht minimumin jetik. I ka kërkuar kryeministrit shqiptar të nxjerrë kontratat me oligarkët që janë abuzimet më të mëdha. Ai duhet të përgjigjet për ligjin që po përgatit për oligarkët. Autoriteti i Konkurrencës përse nuk u vendosi gjoba oligarkëve të mielli”. Një tjetër qytetare ndërsa reagoi me kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, theksoi se populli është i varfër dhe se nuk mund të përballojë këtë rritje çmimesh, pasi nuk prodhohet asgjë në këtë vend.

19 tetor, Bashkimi Europian vlerëson Shqipërinë, por derën se hap

Komisioni Europian vlerëson Shqipërinë dhe në progres-raportin e fundit, kërkon çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të hyrë në BE. Për të shtyrja e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka krijuar impakt negativ. Në raport vlerësohet progresi i bërë me Reformën në Drejtësi, por edhe me reformat gjithëpërfshirëse në vend. Reforma Administrative Territoriale është një tjetër pikë e prekur në Raport ku theksohet se duhet të vijojë decentralizimi i pushtetit lokal dhe të bëhet më shumë për autonominë dhe financat e bashkive. Kritika ka sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Përpos vlerësimit të madh, një pikë shqetësuese është 25 prilli, dhe në raport thuhet se problem mbetet përdorimi i funksioneve publike për fushatë zgjedhore, blerja e votës dhe patronazhistët. Raporti po ashtu konstaton se Shqipëria ka arritur njëfarë përparimi në luftën kundër korrupsionit ndërsa dënimet e zyrtarëve të nivelit të lartë mbeten të kufizuara, duke nxitur ende një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve brenda niveleve më të larta të Shtetit. Edhe një herë tjetër vlerësohet Shqipëria, por dera e BE-së nuk hapet.

1 nëntor, SPAK nis aksionet, merr të pandehur kreun e Bashkisë Mallakastër

SPAK-u merr të pandehur kryetarin e Bashkisë së Mallakastër, Qerim Ismailaj. Referuar njoftimit nga SPAK-u, ai akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. SPAK-u bën me dije se në kuadër të procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës së falsifikimit, duke e marrë në cilësinë e të pandehurit. Pas përfundimit të hetimeve Prokuroria e Posaçme e dërgoi për gjykimin çështjen pranë Gjykatës së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.

6 nëntor, Basha shkarkon Albana Vokshin. Zgjedhje edhe në LDGSH

Lulzim Basha shkarkon Albana Vokshin dhe ka urdhëruar futjen e Lidhja Demokratike të Gruas në zgjedhje. Pa asnjë mbledhje të forumeve drejtues me të njëjtën mënyrë Basha shkarkoi Vokshin, për të uzurpuar LDG. Albana Vokshi së fundi ka qenë një kritike e fortë e Bashës. Pas vendimit për riorganizimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese të Forumit Rinor, edhe Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë do të hyjë në një proces zgjedhor.

17 nëntor, Basha kërcënon me përjashtim Berishën: Nuk e lejoj bunkerizimin

Në takimin me 71 kryetarët e degëve të PD-së, Lultim Basha ndër të tjera i ka dërguar edhe një mesazh Sali Berishës, duke i thënë se në selinë blu nuk ka vend për struktura paralele, dhe se se vota e Kryesisë i dha përgjigje kujtdo që dyshonte në procedurat demokratike në parti. Nga ana tjetër Basha tha se do të zbatoj statutin ndaj kujtdo kush shkel vendimin e kryesisë së partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. “Do të bëjë Sali Berisha miting më 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjën në statut. Dhe do ta zbatoj statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga statuti i partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe nuk është mbi të tjerët”.

26 nëntor, Shqipëri-Kosovë së bashku pa barriera. Firmosen 16 marrëveshje të reja

Më 26 nëntor, qeveritë Rama dhe Kurti mbajtën takimin e parë. Shqipëria dhe Kosova duan që të thjeshtojnë e lehtësojnë ndërveprimin mes shqiptarëve në dy anët e kufirit, përmes një serie marrëveshjesh të nënshkruara mes dy qeverive. Mes pakteve në tryezën e mbledhjes së shtatë të përbashkët të dy qeverive janë heqja për lejeqëndrimet e përkohshme, hapja e pikës së kalimit kufitar në Shishtavec, njohjen e kontributeve shoqërore dhe për njësimin e procedurave doganore. Sa i takon ndërlidhjes infrastrukturore, projekti më ambicioz i dy vendeve lidhet me hekurudhën. Kjo është pjesë e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan, për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë Durrësin me Prishtinën. Një tjetër marrëveshje në fushën e arsimit është njohja e ndërsjellë e diplomave dhe ambicia për të njësuar abetaren në të dyja vendet.

14 dhjetor, SPAK arreston ish-ministrin Lefter Koka

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar nga Policia. Mësohet se arrestimi i tij ka lidhje me kallëzimin penal të bërë në SPAK nga LSI për dosjen e inceneratorëve. Bëhet e ditur se janë edhe disa emra të tjerë të njohur që po hetohen nga SPAK. Në kallëzimin e LSI për inceneratorin e Fierit, thuhet se Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako dhe kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, kanë kryer dy vepra penale atë të “shkeljes së barazisë në tenderë” dhe “shpërdorimin e detyrës”. Lefter Koka kërkon lirinë në Apel. Dy avokatët, Fatmir Braka dhe Jualin Mërtiri argumentuan kërkesën për ta liruar klientin e tyre bazuar në faktin që ish-ministri nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe se do të bashkëpunojë me drejtësinë.

18 dhjetor,  Lulzim Basha mban Kuvendin Kombëtar një javë pas Berishës

Një javë pasi Komisioni i Rithimelimit të PD-së, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, PD-ja mbajti Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Lulzim Basha dhe i mbështetur nga Kryesia. Në Kuvend u miratua rezoluta e propozuar nga Këshilli Kombëtar që nuk njeh Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Berisha. Kuvendi miratoi ndalimin në funksione hierarkike të partisë të personave të shpallur “non-grata” si edhe të personave që kanë pasur pozicione të ndryshme gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Kuvendi i 11 dhjetorit i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, u quajt i jashtëligjshëm. Sipas rezolutës vendimet janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD. Në këtë rezolutë thuhet se lëvizja Berisha i ngjan një organizate politike me frymëzim antiamerikan.

18 dhjetor, Berisha mban referendum dhe shkarkon Bashën: Pati fatin e Ramiz Alisë

Në të gjithë Shqipërinë, degët e Partisë Demokratike mbajtën një referendum të nisur nga Komisioni i rithemelimit të PD për shkarkimin e kryetarit aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Në referendum kanë marrë pjesë 43,879 anëtarë të Partisë Demokratike nga të cilët 43,385 kanë votuar pro shkarkimit të Lulzim Bashës nga posti i kryetarit, 306 kanë votuar kundër, 17 vota kanë qenë abstenim, ndërsa 171 vota janë shpallur të pavlefshme. “Pati fatin e Ramiz Alisë, historia përsëritet”, theksoi Berisha për Bashën.

20 dhjetor, Sali Berisha mban protestën e parë pas dorëheqjes më 2013 si kryetar i PD

Nga protesta e parë, pas Kuvendit të 11 dhjetorit dhe referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës, Sali Berisha mbajti më 20 dhjetor protestën e parë pasi dha dorëheqjen si kryetar i PD-së, ku paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se protesta të tjera do të pasojnë deri në largimin e atij që ish-kryeministri e quan narkoshtet. “Betohemi se nuk do të ndërpresim kurrë protestën deri sa regjimi të vendoset para ligjit dhe ne si shqiptarë të votojmë të lirë për veten dhe vendin. Ne këtu jemi mijëra qytetarë të lirë. U mblodhëm me një thirrje të shpejt. Në dy muaj arritëm të rimëkëmbim monumentin e pluralizmit që e mori peng Rama. Ky uragan nuk ndalet më. Prandaj e paralajmëroj Ramën: mos guxo t’i dalësh para. Mos mendo se me pakicë do të shtypësh shumicën. Ne nuk ka forcë që na ndalon. Ju ftoj të qëndrojmë të vendosur për serinë e pafundme të protestave të tjera deri sa ta çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti”. Protesta u mbajt kundër ardhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë dhe për skandalin e dosjes së incineratorëve.

23 dhjetor, Sali Berisha i lë afat deri në 5 janar Lulzim Bashës për të liruar zyrën

Grupi i Rithemelimit i PD-së, i dalë nga votimi në Kuvendin Kombëtar i 11 dhjetorit, i ka dhënë një ultimatum Lulzim Bashës, që ka kohë deri më 5 janar 2022 që të lirojë zyrën e tij. Sipas Komisionit të Rithemelimit të PD-së, e njëjta letër që do t’u shkojë në dorë edhe trupës diplomatike të akredituar në vendin tonë. Kërkesa u lexua në ambientet e selisë blu, nga kryetari i Komisionit të Rithemelimit, Belind Këlliçi, duke paralajmëruar se nëse hasin në rezistencë do të detyrohen të shndërrohen në përmbarues politik, për të vënë në vend vendimin e mbi 43 mijë demokratëve, të cilët me votë shkarkuan nga funksionet drejtuese Lulzim Bashën më 11 dhjetor.

23 dhjetor, Basha mbledh Këshillin Kombëtar të PD: Do dal në terren

Lulzim Basha mblodhi Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, ku ndër të tjera mes porosive që ju la anëtarëve, ka bërë me dije se do të dalë në terren opër të takuar demokratët. “E shkuara do të mbetet e shkuar. E ardhmja kërkon sfida, prandaj nga nesër të gjithë duke filluar nga unë do duhet të jemi në terren. Të punojmë me gjithë ata burra që ishin me ne, por edhe me ata qe sot nuk na besojnë, por u perdorën per mish për top. Ata janë njerëz që kanë sakrifikuar janë të zhgënjyer me ne. Por ne duhet të punojmë me ta t’i bindim, e të bëhemi bashkë. Basha përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Nga nesër secili duhet të jetë prezent në terren me demokratët duke filluar nga unë”, ka deklaruar Basha. Pasi shkarkimit të Edi Palokës, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së është zgjedhur Arta Sakja. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Indrit Sefa Sekretar për pushtetin Vendor, Roland Bejko, Sekretar për Diasporën, Kreshnik Çollaku, Sekretar Organizativ, Flamur Hoxha.

Skandali i pagave, ID-ve dhe targave. Të gjitha dolën në ”shesh”

Në një kohë të tensionuar politike, në fund të dhjetorit ndodhi skandali më i madh, ai i publikimit të pagave, të të dhënave personale dhe i targave të makinave të 640 mijë shqiptarëve. Kudo flitej për pagat, sesa për ngjarjen e rëndë e cila është një krim, e që qeveria duhej të shpallte emergjencën kibernitike. Në Shqipëri nuk ka më sekrete. Ky material u shpërnda fillimisht në aplikacionin “WhatsApp” dhe për të vazhduar më pas në rrjetet sociale dhe në disa media on-line. Për PD-në, publikimi i këtyre të dhënave ekspozoi ”kalbësirën e sistemit putinist të Edi Ramës” ku për selinë blu, taksat e qytetarëve përdoren për të shpërblyer përfituesit e PPP-ve dhe inceneratorëve. Kjo dosje është krijuar në datën 26 shkurt të vitit 2021, ndërsa modifikimi i fundit është kryer me datë 6 prill. Sipas sistemit të krijuar për mbrojtjen e të dhënave, i aplikuar te Tatimet që prej kohës së qeverisë Berisha, asnjë prej inspektorëve të tatimeve nuk mund të shkarkojë më shumë se 1000 të dhëna në një veprim të vetëm. Tjetër informacion i rëndësishëm është fakti se aty mungojnë më shumë se 30.000 mijë taksapagues. Nuk janë të gjithë punonjësit. Ndërkohë që për një numër shumë të madh punonjësish pagat nuk janë të përditësuara. SPAK ka nisur hetimet, por pritet që janari i 2022 të zbardh të vërtetën se nga ku dolën kaq shumë të dhëna.

SHKARKO APP