Pollo: Protesta e radhës e opozitës në muajin shkurt ose mars
Deputeti i PD-së, Genc Pollo i ftuar në studion e lajmeve, në rubrikën “Opinion” në News 24, deklaroi se opozita do protestojë sërish për problemet me të cilat përballen sot qytetarët. Sipas Pollos, rritja e çmimit të energjisë elektrike, me 25% siç tha ai, është një arsye më shumë për të protestuar. Edhe pse nuk foli për një datë konkrete, deputeti tha se mes shkurtit e marsit pritet të jetë protesta e radhës.
“Kauza për protestë kjo qeveri prodhon në mënyrë masive. Opozita futet në Kuvend se mbështetësit i kanë dhënë besim për luftë politike, doli në një moment dramatik, u kthye me një sukses. Është domethënës fakti që u kthyem në parlament, por kjo nuk do të thotë se kemi rënë dakord me mënyrën e qeverisjes. Protesta është mënyra më e duhur. Data mund të jetë shkurti ose marsi, por konkretisht do ta marrim vesh më vonë”, tha ai.
Ndërsa duke u ndalur tek rezoluta e PE-së që i ktheu në Parlament, Pollo tha se thelbi i saj është dekriminalizimi i Kuvendit dhe për këtë qeveria duhet të nisë nga puna.
“Thelbi i rezolutës dekriminalizimi i Kuvendit. U arrit një fitore jo e vogël, jo thjesht për PD. Vendi dukej se ishte në një drejtim të keq, nuk mund të vazhdohet duke rekrutuar të fortët, kriminelët. Kjo nënkupton pastrimin e Kuvendit sot dhe nesër, kanë 6 muaj kohë”, shtoi Pollo.