Pollo: Rilindistët të heqin dorë nga sulmet ndaj medias
Ish-ministri Genc Pollo ka reaguar pas raportit të Reporterëve pa kufij, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 84, ndryshe nga 2019-ta kur pozicionohej në vend të 82. Në Facebook, Pollo duke cituar raportin, shkruan se shkak për këtë renditje është jo vetëm paketa anti-shpifje, por edhe sulmet e njëpasnjëshme të kryeministrit Rama ndaj gazetarëve në Shqipëri.
Sipas Pollos qeveria mbulon agresionet fizike ndaj gazetarëve investigativë. Pollo kujton se një nga kushtet e BE për negociatat është pikërisht liria e medias, që në vendin tonë nuk po respektohet.
Reagimi i plotë i Genc Pollos:
“Edhe këtë vit qeveria Rama e çoi Shqipërinë akoma më poshtë lidhur më lirinë e medias. Këtë thotë raporti botëror i Reporterëve Pa Kufij i botuar sot i cili përkeqsimin e shpjegon jo vetëm me paketën ligjore antifjalë e anti Europë por edhe me sulmet kundër medias nga vetë Edi Rama dhe, pasojë e qartë e tyre, me agresionet fizike ndaj gazetarëve investigativë që qeveria nuk i zbardh ndonjëherë.
Duke mos mbyllur dot portalet siç ja ka ënda qeveria Rama mbyll çdo transparencë zyrtare të detyrueshme dhe po aplikon vetëm tendera sekret në kohë epidemie; me shpresë se nuk do të merret vesh se maskat e kitet po i blen me shumëfishin e çmimit pakicë.
Bashkimi Europian në 25 mars vuri lirinë e medias si një ndër 15 kushtet për çeljen e negociatave. Prandaj rilindistët menjëherë dhe me doemos të abrogojnë paketën antifjalë, të abrogojnë shpifjen si vepër penale dhe të rikthejnë normat europiane për pronësinë në media që me porosi të oligarkëve i anulluan para katër vitesh.”
KOHA JONË SONDAZH

