Porosia nga Erdogan për Ramën ndaj FETO-s, Meta: Të mos përfshihet në punët e brendshme
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar porosinë që la Erdogan për Ramën në lidhje me organizatën FETO, të cilën Turqia e ka shpallur organizatë terroriste. Meta tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të rëndësishme, por theksoi se nuk duhet të ndërhyhet në punët e brendshme të vendeve.
”Marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë janë shumë të rëndësishme, ato duhet të respektojnë traditën historike midis dy vendeve, ato duhet të orientohen nga detyrimet e përbashkëta si anëtarë të NATO-s dhe njëkohësisht edhe nga vlerat Europiane. Është shumë e rëndësishme që ato të bazohen gjithmonë në respektin e reciproktë dy vendeve, të dy popujve tanë dhe të udhëhiqen nga parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të dy vendeve.
Siç ju e dini, marrëdhëniet e Partisë së Lirisë me Turqinë janë dhe mbeten të rëndësishme. Unë pak kohë më parë pata një vizitë në Turqi ku takova të gjithë udhëheqësit kryesorë të opozitës, po kështu pak muaj më parë në një samit rajonal, morën pjesë figura shumë të rëndësishme të Politikës Turke si ish-kryeministri Davutoglu edhe të tjerë dhe ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë pa asnjë paragjykim me të gjithë faktorët në Turqi që të çojmë përpara marrëdhëniet midis dy vendeve në bazë të atyre parimeve që theksova më parë”, tha Meta.