Porti i Durrësit, akuza nga Berisha: Kompania nga Emiratet shërben si mburojë e Ramës
Me ekspertë për konsumin, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se kompania nga Emiratet që do ndërtojë Portin e Durrësit, shërben si mburojë për kryeministri Edi Rama
“Kemi brigje nga më të bukurat, male mahnitëse me potencialet e tyre. Ata të cilët i zotërojnë ato, janë klientelë, nuk kanë asnjë lidhje me fushën. Turizmin e merr burri i ministres, territore të tëra. E merr hokatari i kryeministrit. E marrin të tjerë të cilët nuk kanë asnjë interes zhvillimor përveç shfrytëzimit. Shqiptarët vidhen sa asnjë popull tjetër në Europë dhe ndoshta edhe në botë.
Vidhen me çmimet, procedurat, koncesionet, PPP-të. Në Shqipëri ndodh një nga vjedhjet më të tmerrshme që mund të bëhet. Vjen një kompani nga Emiratet e Bashkuara dhe shërben si mburojë e kryeministrit të vendit, për të plaçkitur më shumë se 1 mln e gjysëm katror tokë në Portin e Durrësit.
Ka një emër, kullë të lartë në Dubai, por ka një mashtrim po aq të madh sa kulla, në Savë, Beograd, këtu afër nesh. Kjo është e vërteta e këtij investitori. Por nuk ka asnjë rëndësi, rëndësi ka që shërben si mburojë e Edi Ramës.
Kompani të tjera gjigante, instalohen në kushtet që duan, pa garë. Pa garë jepet Skavica, qindra milionë. Pa garë merren 760 mln buxhet”, tha Berisha.