PPE paralajmëron: Çdo tentativë e PS për ndryshime të njëanshme shkon kundër konsensusit
Partia Popullore Europiane PPE ka kërkuar miratim sa më shpejt të marrëveshjes për Kodin Zgjedhor dhe zbatimin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale. Përmes një postimi në Facebook, eurodeputeti gjerman Michael Gahler, teksa përshëndet arritjen e marrëveshjes në tryezën e Këshillit Politik, i bën thirrje mazhorancës të mos tentojë të bëjë ndryshime të njëanshme dhe që dëmtojnë konsensusin mes palëve.
“Ne përshendesim konsensusin e qëndrueshëm të partive që përfshijne Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Gahler.
Reagimi i plotë i Michael Gahler:
“Së bashku si Grupi i PPE në Parlamentin Evropian, urojmë partitë në Këshillin Politik Shqiptar, i cili pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, ra dakord për paketën e reformës zgjedhore. Ne e lavdërojmë konsensusin e Partisë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete.
Çdo përpjekje e partisë në pushtet për ndryshime të njëanshme të tjera shkon kundër konsensusit të arritur.
Ky konsensus është kusht kyç për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.
Këshilli Evropian në Mars në të vërtetë kërkoi që Shqipëria të sqarojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Fakti që qeveritë lokale në Shqipëri drejtohen nga një parti e vetme, e cënon nocionin themelor të një demokracie pluraliste.
Këto janë tre nga 15 kushtet e rëndësishme që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave për anëtarësim në BE.
Opinionet e fundit të Komisionit të Venecias për lirinë e mediave dhe gjyqësorit duhet të zbatohen plotësisht në mënyrë që të korrigjohen devijimet e mëparshme dhe të ecin përpara. Gjithashtu duhet të fillohet procesi penal lidhur me pretendimet e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara, përfshirë ato në Dosjet 184 dhe 339.
Të 15 Kushtet u vendosën në Mars nga Këshilli Evropian dhe u konfirmuan muajin e kaluar në Parlamentin Evropian nga një shumicë e madhe ndër-partiake.
Grupi Parlamentar i PEE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE”.
KOHA JONË SONDAZH

