PPE refuzoi darkën e Ramës, kryeministri: Nuk ndihesh mirë kur dëgjon histori horrori

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar në lidhje me mospjesmarrjen në darkën e organizuar nga delegacioni shqiptar të disa prej të ftuarve, pas fjalimit të tij në Asamblenë e Këshillit të Evropës në Strasburg.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se arsyeja që kishin dhënë është se “nuk ishin ndjerë mirë pas fjalimit”.

Sipas tij, fjalimi u ka rënë si një rrufe në qiell të pastër dhe theksoi se atyre do t’u duhet kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë.

Lexoni më poshtë reagimin e kryeministrit Edi Rama:

Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg ,megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!

Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.

Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra!#NjerëzPaAtdhe #KatranMeBojë

SHKARKO APP