”Prej një viti e gjysmë PD është në agresion”, Alibeaj: Berisha u fut nën sqetullën e Ilir Metës
Kreu i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj zhvilloi këtë të mërkurë një takim në Këlcyrë, në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie, Adriatik Spahiu. Në fjalën e tij, Alibeaj tha se më 15 Maj, bashkia Këlcyrës do të gdhihet blu, me kryetar Adriatik Spahiun.
“Është një moment shumë i rëndësishëm për Këlcyrën, për qytetarët e Këlcyrës, por është një moment i rëndësishëm edhe për vetë Shqipërinë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm ku vërtetë patriotizmi dhe historia më e lavdishme e këtij vendi, ku këtu në Këlcyrë në fakt ka rrënjë të thella. Do të duhet që përsëri të dalim e t’i vendosim shpatullat Shqipërisë së drobitur. Këlcyrës që lëngon, të cilës sot e prej 10 vitesh nën qeverisjen e Edi Ramas, e 12 vitesh nën qeverisjen lokale të Partisë Socialiste, ia ka marrë shpirtin këtij vendi, këtyre qytetarëve”, theksoi Alibeaj.
Alibeaj foli edhe për situatën e krijuar në Partinë Demokratike, pas sulmeve nga Sali Berisha. Kreu i komanduar i PD-së, tha se Berisha bashkoi demokratët me Ilir Metën.
“Prej një viti e gjysmë PD është në agresion. Agresion nga jashtë, të majtët, Partia Socialiste, Edi Rama, regjimi, i gjithë shteti në fakt i është hedhur në grykë Partisë Demokratike për ta asgjësuar. Jemi ndodhur nën agresion nga Sali Berisha. Jemi ndodhur nën agresion edhe nga njeriu që e kemi pasur dy herë president, dy herë kryeministër, e kemi adhuruar si lider historik, ka përfituar shumë nga PD”, tha ai.