Premtimi nga Rama: Do të rrisim fondin për pensionet

Në një takim mirënjohjeje dhe falenderimi me ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës sot në pension, kryeministri Edi Rama tha se qeveria po punon për rritjen e fondit të pensioneve.
”Jemi në procesin e përgatitjes së një rritje të fondit të pensioneve, qoftë duke rritur të ardhurat nga sigurimet shoqërore, por qoftë edhe duke rritur buxhetin në dispozicion të pensioneve”,-tha Rama.
Për të rritja ekonomike dhe e të ardhurave në Shqipëri janë sinjale pozitive për të mundësuar rritjen graduale të pensioneve, ndërsa synohet që bonusi i pranverës të jepet çdo vit. Rritja e pagës mesatare në sektorin publik në 987 Euro për Ramën është një ndihmë më shumë.
”Çdo pagë e rritur është garanci për fondin e sigurimeve shoqërore. Aty ku rritet një pagë, ka një përfitim më shumë për pensionistët”,-tha kreu i qeverisë. Në fjalën e tij, Rama nuk la pa shigjetuar edhe premtimet e opozitës për rritjen e pensioneve.