Presidenca: Bajram Begaj ka raporte të ngushta dhe konstruktive me Osmanin dhe Kurtin
Zyra e Shtypit e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj ka reaguar ndaj lajmeve në disa media në Kosovë, të cilat pretendojnë për një ftohje të marrëdhënieve mes Presidentit Begaj dhe drejtuesve të shtetit të Kosovës, Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti.
Sipas këtyre raportimeve, marrëdhëniet janë tensionuar pas reagimeve të kryeministrit Kurti në lidhje me rihapjen e urës së Ibrit. Zyra e Shtypit e Presidentit Begaj, thekson se Kreu i Shtetit ka mbajtur kontakte të ngushta, të vazhdueshme dhe konstruktive me drejtuesit e Republikës së Kosovës që prej marrjes së detyrës.
”Kreu i Shtetit ka mbajtur që prej ditës së parë të marrjes së detyrës, kontakte të ngushta, të vazhdueshme dhe konstruktive me drejtuesit e Republikës së Kosovës, në çdo situatë, në çdo kohë dhe në mënyrë të veçantë, me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Republika e Kosovës, shqiptarët në troje dhe më gjerë si edhe drejtuesit politikë të tyre, janë dhe kanë qenë prioritet i Presidentit që prej ditës së parë në këtë detyrë”, bën të ditur zyra e shtypit e Presidentit Bajram Begaj.