Presidenca gjermane e BE, Lulzim Basha: Lajm i mirë! Nuk duhet humbur kohë për përmbushjen e 15 kritereve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përshëndetur marrjen e kryesimit të Bashkimit Europian nga Gjermania.

Në një mesazh në Facebook, Basha shkruan se ky është një lajm i mirë edhe për Shqipërinë, kur Gjermania e ka vendosur vendin tonë në fillim të agjendës së saj në krye të BE.

Në vijim mesazhi i plotë i Bashës: 

Marrja e kryesimit të Presidencës së BE nga Gjermania është një lajm i mirë për Shqipërinë. Dielli duket që kur lind, ndaj gjermanët kanë vendosur që në fillim të agjendës së tyre në krye të BE, procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
Nuk duhet humbur më kohë për të përmbushur 15 kriteret, drejtimi për të dalë nga kriza ku është futur Shqiperia është pikërisht aty. Reforma Zgjedhore dhe zbatimi i saj përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Ndëshkimi i personave të përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve, bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe shqyrtimi i legjitimitetit të procesit të 30 qershorit 2019, Lufta kundër Korrupsionit, Krimit të Organizuar dhe Trafiqeve, Ligji i Medias që cënon lirinë e shprehjes, masat për uljen e numrit të azilkërkuesve, janë disa nga hapat që duhet të ndjekë vendi ynë për të mundësuar bashkimin me familjen europiane.
E di, kurrë nuk kemi patur kritere kaq të forta në rrugëtimin tonë! Kjo sepse vendi nuk ka qenë kurrë në një krizë kaq të thellë e të gjithanshme. Ndaj vullneti politik për t’i zhbërë këto pengesa duhet të prevalojë mbi etjen dhe lakminë për gjithëpushtetshmëri.
E nesërmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk kanë pse të jenë peng i të sotmes, aq më tepër kur kemi vullnetin e miqve tanë për të na mundësuar tejkalimin sa më shpejt të kësaj faze të errët për vendin tonë.
Shqipëria do t’ia dalë! Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë ditë më të mira!
Urimet më të përzemërta Gjermanisë dhe kancelares Merkel në kryesimin e Bashkimit Europian, urime miqve dhe partnerëve të Shqipërisë në Bundestag dhe në të gjitha institucionet e tjera të Gjermanisë mike dhe të BE. #ditemetemira

SHKARKO APP