Presidenti Bajram Begaj dekreton ligjin për ”Zonat e Mbrojtura” pas konsultave me ekspertë: Kushtetues
Presidenti Bajram Begaj ka dekeratuar ligjin për Zonat e Mbrojtura. Ky ligj i hap rrugë ndërtimeve ekologjike për t’i vënë në shërbim të ekonomisë. Në argumentimin e presidentit u zhvilluan disa konsulta me grupet e interesit dhe ekspertë të Kushtetutës të cilët nuk gjejnë bazë për pretendimet si ligj me risk potencial për mbrojtjen e mjedisit dhe as të kushtetutshmërisë.
Socialistët kaluan me 74 vota pro ligjin për “Zonat e mbrojtura”. Teksa në seancë votohej jashtë sallës së parlamentit një grup aktivistësh të shoqërisë civile dhe deputetësh të opozitës protestonin. Opozita e ka cilësuar ligjin si një ligj korruptiv dhe në shkelje të direktivave të BE-së, ndërsa ka paralajmëruar dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Pas votimit një reagim erdhi edhe nga delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit dhe garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.
Dekreti i plotë
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z Bajram Begaj, dekretoi sot ligjin nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura””.
Për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues.
Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik, si vijon: Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së (International Union for Conservation of Nature).
IUCN-ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit. Standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së nuk kanë fuqinë juridike të traktateve apo marrëveshjeve ndërkombëtare dhe, si të tilla, nuk mund të përdoren për shqyrtimin e përputhshmërisë kushtetuese të ligjit nr. 21/2024.
Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij. Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e kushtetutshmërisë.
Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi.
Organizatat e shoqërisë civile shohin te procedura e shqyrtimit parlamentar të projektligjit cenimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit për përfshirjen e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e nismave ligjore parlamentare dhe për konsultimin publik. Kritikat lidhur me mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit apo me mënyrën e organizimit të konsultimit publik janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij në ushtrimin sovran të kompetencave të veta. Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës.
Organizatat e shoqërisë civile kanë pretenduar përplasje, pa referenca konkrete, me dy direktiva të BE-së (direktiva e Këshillit 92/43/EEC dhe direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit 2009/147/EEC). Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash me asnjërën nga këto dy direktiva. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.