Presidenti Bajram Begaj në Kalabri! Viziton shtëpinë e De Radës, nderon Zef Seremben
Në ditën e tretë të vizitës në Itali, presidenti Bajram Begaj zhvilloi takime të tjera me komunitetin arbëresh. Ai u ndal në shtëpinë e Jeronim De Radës në Macchia Albanese ku vlerësoi rolin dhe kontributin e poetit rilindas.
“Arbëreshët e Italisë kanë shumë për t’u krenuar. Por ju të Macchia Albanese keni shumë më shumë arsye, pasi mbani në gjirin tuaj rilindasin Jeronim De Rada, poetin e madh që i këndoi e dha kontribut për Shqipërinë. Unë jam rritur me De Radën e më vjen keq që erdha pas kaq vitesh ta takoj atë. Ju faleminderit të gjithëve për gjithë atdhedashurinë tuaj të pamasë”, tha Begaj.
Presidenti nderoi dhe poetin tjetër arbëresh, Zef Serembe, me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Më pas kreu i shtetit pati një sërë takimesh me anëtarë të komunitetit arbëresh, ku kërkoi rritje të bashkëpunimit midis rajonit të Kalabrisë dhe Shqipërisë, përfshirë këtu dhe në fushën e turizmit.
“Këto potenciale turistike shqiptare, si dhe potencialet e konsoliduara turistike të Rajonit të Kalabrisë, që laget nga dy dete dhe me peizazhe të mrekullueshme, na bëjnë optimistë për mundësitë e panumërta të bashkëpunimit të koordinuar dhe të integruar në fushën e turizmit”, shtoi presidenti.
Presidenti zhvilloi një takim dhe me sipërmarrës të kësaj zone, ndërsa ndau çmime për gjashtë personalitete arbëreshe për kontributin patriotik të dhënë gjatë këtyre viteve.