Presidenti Begaj bisedë telefonike me Osmanin: Të vijojë dialogu me Serbinë, të ruhet paqja dhe integriteti territorial i Kosovës
Pas situatës në veri të Kosovës ku tensionet me serbët janë rindezur, presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar këtë të dielë një bisedë telefonike me homologen nga Kosova, Vjosa Osmanin.
Begaj shkruan se është e rëndësishme që të vijojë dialogu me Serbinë, por duke pasur në vëmendje ruajtjen e paqes, si edhe integritetin territorial të Kosovës.
“Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre.
I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO.
Mbetet madhor interesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe i gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Begaj.