Presidenti Begaj: Gerti Bogdani promovoi vlerat më të mira në jetën parlamentare dhe politike
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Në mesazhin e kreut të shtetit, shkruhet se Bogdani promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE.
Mesazhi i plotë
“Hidhërim për ikjen e beftë nga jeta të Gerti Bogdanit. Ngushëllime familjes së tij, bashkëshortes, të afërme, miqve dhe kolegëve.
Gerti Bogdani, i angazhuar që në rininë e tij në jetën publike të vendit, promovoi vlerat më të mira në qeverisjen lokale, jetën parlamentare dhe atë politike, duke i shërbyer vendit, kauzës së të rinjve për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe integrimit në BE”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani ndërroi jetë mesditën e të mërkurës në moshën 44-vjeçare për shkak të një arresti kardiak.