Presidenti Begaj kërkesë shkollës së Magjistraturës: Konsolidoni pavarësinë!
Në përvjetorin e shkollës së Magjistraturës, presidenti Bajram Begaj ka kërkuar pavarësi dhe paanshmëri në punën për formimin e magjistratëve të rinj, për të rritur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë në tërësi dhe të garantohet që brezat e rij të gjyqtarëve e prokurorëve të japin vendime të drejta.
“Me ndryshimet kushtetuese, shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave e përgjegjësive akoma më të mëdha. Misioni i formimit të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve e vendos shkollën në pozicion të rëndësishëm e kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë.
Puna juaj ka ndikim përcaktues në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional e moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, si një institucion i pavarur është me rëndësi që rekrutimi dhe vlerësimi të kryhet me objektivitet e transparencë, mësimëdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese.
Pavarësia e paanshmëria në punën tuaj sot janë çelësi i pavarësisë e paanshërmisë së gjyqtarëve e prokurorëve nesër, që do të thotë vendime të drejta e të paanshme nesër“, tha Begaj.