Presidenti Begaj me të moshuar në Kavajë: Respekt për gjithçka që kanë dhënë me punën e tyre të ndershme
Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot në Kavajë një takim me qytetarë të moshës së tretë, pjesë e brezave që kanë dhënë kontribut gjatë veprimtarisë së tyre në fusha të ndryshme shoqërore për këtë qytet. Kreu i shtetit tha se takime të tilla duhet të shërbejnë për sjelljen e të rinjve ndaj prindërve dhe brezave që kanë lënë gjurmë në shoqëri.
”Sot është emocion tjetër, i veçantë, për faktin që unë takoj intelektualë të ndryshëm në kategori të ndryshme arsimore e kulturore të qytetit tonë. Është vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë kontributin tuaj ndër vite. Shpresoj shumë që ky takim të jetë një lloj kujtimi i bukur për ne të gjithë. Siç keni bërë ju me prindërit tuaj, të bëjmë edhe ne për prindërit tanë, t’i kujtojmë, t’i nderojmë e respektojmë, dhe fëmijëve t’u japim një shembull se si duhet të sillen me prindërit e gjyshërit”, tha Begaj.
Ashtu si në dhjetorin e vitit të parë të tij vizitoi Shtëpinë e të Moshuarve “Sefer Dervishi” në Kavajë, edhe sot Kreu i Shtetit shprehu vlerësim dhe mirënjohje për kontributin e brezave të mëparshëm, ndërsa rikonfirmoi angazhimin e tij për të qëndruar pranë qytetarëve.
”Unë ju premtoj se së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Fisnik Qosja, do të bëjmë gjithçka që duhet për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve të Kavajës. Më konsideroni njërin prej jush”, iu drejtua Begaj të moshuarve. ”Një vit të ri sa më të mbarë për të gjithë, me shëndet, me lumturi e begati, dhe qofshim kështu bashkë gjithmonë”, uroi Begaj.