Presidenti Begaj në Konispol: Agroturizmi po merr zhvillim tepër të madh në zonë, do adresoj shqetësimet tuaja
Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Bashkinë e Konispolit, skajin më jugor të Shqipërisë. Gjatë bashkëbisedimeve me autoritetet lokale, Kreu i Shtetit vlerësoi përpjekjet që po bëhen për agroturizmin në këtë zonë, ndërsa përballë emigrimit i mëshoi idesë së zhvillimit të mëtejshëm të tij. ”Vura re toka të punuara, në lulëzim, peizazhe të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore që përkthehen në një atraksion shumë të rëndësishëm turistik”,-u shpreh presidenti.
”Bujqësia, agroturizmi dhe blegtoria janë fusha që duhet të kenë një vëmendje të shtuar dhe duhet t’i bëjmë njerëzit të fokusohen tek to, sepse nëpërmjet tyre ne do të arrijmë mirëqenien e qytetarëve tanë”,-theksoi kreu i Shtetit, duke vlerësuar njëherazi Konispolin për vlerat e larta patriotike, historike e social-kulturore.
Begaj shprehu mirënjohje dhe respekt ndaj banorëve të Konispolit, të cilët vazhdojnë të ruajnë traditat e rritjes së agrumeve, ullinjve e vreshtave, por edhe ato të artizanatit, duke kapërcyer me durim sakrificat.
Ai vizitoi punishten e drugdhendësit dhe gurpunuesit Urim Arapi, i cili e ushtron këtë punë prej 50 vitesh. Ndalesa tjetër e Presidentit Begaj gjatë vizitës në Konispol ishte një plantacion me agrume dhe një plantacion me shegë. Kreu i Shtetit përgëzoi fermerët që kanë ngritur këto plantacione përmes mundit, duke këshilluar edukimin e të rinjve me dashurinë për punën. “Është frymëzuese të shohësh këto plantacione të begata, fryt i djersës dhe punës suaj. Transmetojeni këtë dashuri për tokën tek të rinjtë, që ata të mos largohen! Duhet të transmetojmë tek ta dijen dhe dashurinë për punën”,-theksoi Presidenti.
Gjatë takimeve me banorët e zonës, Begaj u zotua se do të shndërrohet në zë për ta, për të gjetur zgjidhje përmes bashkëpunimit ndaj çdo problematike që kanë. Presidenti i Republikës garantoi mbështetjen e tij për zhvillimin dhe mirëqenien, duke theksuar nevojën e adresimit të problemeve në institucionet përkatëse. “Është përgjegjësi Kushtetuese”,-u shpreh Presidenti Begaj, që Konispoli të jetë në hartën e vëmendjes së institucioneve, ashtu si çdo bashki tjetër”.
Presidenti zhvilloi një vizitë në shtëpinë muze të shkrimtarit Bilal Xhaferi në fshatin Ninat. Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Konispolit, z. Ergest Dule, vendosi një kurorë me lule në Varrezën Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, memorial kushtuar viktimave të eksodit të çamëve gjatë viteve 1944-1945.