Presidenti Begaj pas mbylljes së votimit: Shqiptarët folën, vota e tyre të numërohet drejt
Presidenti Bajram Begaj ka një mesazh për qytetarët, pasi procesi i votimit u mbyll për këto zgjedhje lokale që kanë një pjesëmarrje të ulët. Thirrja e Begajt është që procesi i numërimit të votave të bëhet në mënyrë të drejtë dhe pa vonesë.
“Falenderoj të gjithë shqiptarët të cilët votuan sot me përgjegjësi e dinjitet, duke përmbushur kështu një të drejtë kushtetuese, por edhe një detyrim moral e qytetar ndaj vendit.
Në këtë moment të fillimit të numërimit të votave, si dhe të nxjerrjes së rezultateve, ju bëj thirrje të gjithë të përfshirëve në këtë proces që të kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, ndershmëri e profesionalizëm, duke siguruar e garantuar vullnetin e shprehur me votë të qytetarëve shqiptarë.
Votuesit shqiptarë folën! Është koha që vota e tyre të numërohet drejt dhe pa vonesë”, shkruan Begaj.