Presidenti Begaj për Margarita Xhepën: Me trishtim mësova se ylli i skenës dhe ekranit shqiptar u shua sot

“Me trishtim mësova se Margarita Xhepa, ylli i skenës dhe ekranit shqiptar, u shua sot.
Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare.
Artistja e madhe, një figurë publike e respektuar, grua dhe nënë e nderuar, deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit dhe artin e saj e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtje të grave dhe fëmijëve.
Ngushëllimet e mia më të ndjera shkojnë për familjen, që sot iu nda nga jeta njeriu i tyre i shtrenjtë, për komunitetin e artistëve shqiptarë dhe për mbarë shqiptarët që e kanë ndjekur dhe duartrokitur artin që Margarita Xhepa dhuroi ndër vite”, shkruan Presidenti Bajram Begaj në mesazhin e tij në rrjetet sociale.