Presidenti Begaj për ”Zërin e Amerikës”: Forcat politike të mos e shohin si armike njëra-tjetrën

Presidenti Bajram Begaj, në një intervistë për ”Zërin e Amerikës”, thotë se forcat politike në vend, nuk duhet ta shohin njëra tjetërn si armike dhe se konfliktualiteti e gjuha e urrejtjes duhet t’I mbeten së shkuarës.

Intervista e plotë

Zëri i Amerikës: Zoti President! Së pari, faleminderit për mundësinë e kësaj interviste! Ju keni disa muaj që jeni në këtë detyrë. Praktikisht në këto 30 vjet ju jeni i dyti kryetar shteti, që vini nga radhët e ushtrisë. Sa i vështirë është kalimi nga një botë si ajo e ushtrisë me rregulla strikte në atë të politikës, ku rregullat shpesh shkelen, premtimet nuk mbahen?

Presidenti Bajram Begaj: Faleminderit për pyetjen! Besoj se ju këtë pyetje e ndani me shumë bashkatdhetarë të tjerë. Unë nuk kam kaluar nga ushtria në politikë. Unë kam kaluar nga një detyrë me përgjegjësi shtetëtore në fushën e mbrojtjes, si shef i Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura, në një detyrë me përgjegjësi të lartë shtetërore në krye të Shtetit. Në seancën e Parlamentit, ku unë dhe u betova, thashë se këtë detyrë e konsideroj mision dhe do ta kryej mbi palët. Ushtrimi i funksionit tim si kryetar i Shtetit do të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti President! Meqenëse edhe ju e përmendët fjalën tuaj në Parlament, ajo që kam vënë re është se në fjalimet tuaja të para ju i keni mëshuar shpesh nevojës që mes partive politike në Shqipëri të ketë dialog. Por në një vend si Shqipëri, ku përvoja tregon se politika është tejet e polarizuar, sa të vështirë e shihni që të arrihet ky paqtim mes forcave politike?

Presidenti Bajram Begaj: Në zbatim të funksionit tim si kryetar Shteti, dhe në respekt të Kushtetutës, unë do të jem mbi palët. Në çdo daljen time publike, edhe në Kuvend apo kudo, unë jam drejtuar me thirrjen që është koha që konfliktualiteti, gjuha e urrejtjes dhe e mërive partiake, opozicioni i fjalëve dhe jo i zgjidhjeve, fragmentarizimi i zgjidhjeve politike, duhet t’i mbeten të shkuarës. Është koha që të gjithë së bashku të punojmë për të ardhmen e këtij vendi, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Duhet që të gjitha forcat politike të rigjejnë frymën e dialogut dhe të bashkëpunimit, ta shohin njëra-tjetrën jo si kundërshtarë apo armiq, por si kundërshtarë të bindjeve politike, me një mision dhe qëllim të përbashkët, përparimin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti President, për fat të keq, nuk janë të pakta rastet kur edhe një gjë e vogël, përdoret si shkas për një përplasje. Marr si shembull faktin që kur ju disa ditë më parë, duke iu referuar stigmatizimit të shqiptarëve jashtë vendit, e ngritët me shqetësim këtë çështje. Ky qëndrim i juaj u kritikua fort nga ajo pjesë e Partisë Demokratike, që dejtohet nga ish kryeministri Sali Berisha, duke thënë se ju po përdorni të njëjtën gjuhë të kryeministrit Edi Rama. Si u ndjetë kur dëgjuat këto sulme?

Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk mund të bëj komente rreth deklaratave politike. E thashë, do të jem mbi palët. Në ushtrimin e funksionit tim do të respektoj dhe të zbatoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutë përcaktohet se Presidenti mbron interesat e kombit shqiptar, interesat e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë dhe punojnë. Besoj se këtë e kam treguar me vepra. Në çdo takim, në çdo aktivitet, në çdo pritje, që ka organizuar Presidenti i Republikës, ka patur të ftuar nga gjithë forcat politike. Dhe këtë e kam bërë me vullnet të plotë për të batuar në mënyrë të saktë dhe drejtë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Është koha që gjuha e konfliktit t’ia lërë vendin përplasjes së ideve dhe zhvillimit të vendit.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se tema e kësaj përplasje ishte çështja e emigracionit, kujtoj se një nga vizitat tuaja të para ishte në veri të vendit, në Has dhe Kukës, dy zona të prekura fort nga çështja e emigracionit dhe largimit të popullatë. Për ju, sa shqetësuese është kjo dukuri?

Presidenti Bajram Begaj: Globalizmi është një dukuri, e cila ka jo vetëm anët e veta të mira, por edhe anët e këqija, efektet anësore. Në fakt, çdo njeri nga ne, këtë mënyrë të shpejtë të komunikimit dhe ndërveprimit njerëzor e pranon, pavarësisht se ka sfida dhe vështirësi. Tashmë, qendra e veprimtarisë dhe zhvillimit të një individi, nuk është më lokale, por ajo mund të jetë kudo, në çdo skaj të botës. Për këtë, bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të individit, çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë se si do ta ndërtojë jetën dhe se ku do ta ndërtojë jetën e tij.

Mendoj se pasuria më e madhe e një kombi janë njerëzit e tij. Dhe për ne shqiptarët, janë shqiptarët. Ata shqiptarë që ne shohim përditë, se kanë arritur sukseset e tyre në fushat e shkencës, artit, kulturës, sportit. Por, siç e thatë edhe ju, me shqetësim konstatoj emigrim, largim nga vendi të profesionistëve dhe specialistëve, atë që në gjuhën e popullit, e quajmë largim të trurit. Me dhimbje e shoh dhe e ndjej largimin e çdo individi nga vendi, çdo familjari.

Është detyrë e institucioneve përgjegjëse, që të analizojnë situatën, të shikojnë gjetjen e mundësive dhe hartimit të politikave zhvillimore, të bëjnë reforma, që të gjithë njerëzit ta ndjejnë veten të qetë dhe komodë në Shqipëri, për ta ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri. Duhet të mbështesim të rinjtë, jo me fjalë, por me vepra. Duhet të pranojmë dhe të zhvillojmë idetë e tyre. Dhe pse jo, të bëjmë që ata, ta ëndërrojnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin e tyre, në trojet e tyre.

Zëri i Amerikës: Zoti President! Më lejoni të ndalem tek një tjetër temë, ajo e marrëdhënieve më Greqinë, një vend anëtar i Bashkimit Europian si dhe fqinj i rëndësishëm i Shqipërisë. Pararendësi juaj, zoti Meta, ka ngritur një seri pikëpyetjesh ndaj qeverisë, pasi kjo e fundit vendosi që për çështjen e detit me Greqinë t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ju a jeni informuar për këtë çështje dhe si e vlerësoni ecurinë e deritanishme të këtij procesi?

Presidenti Bajram Begaj: Vendi ynë ka raporte të mira me të gjithë fqinjët. Këtu hyn edhe Greqia. Greqia fqinje është një partner strategjik për vendin tonë, po ashtu një partner shumë i rëndësishëm ekonomik. Ne jemi vend aleatë në NATO dhe i ndërtojmë marrëdhëniet bazuar në reciprocitet dhe në respekt të njëri tjetrit. Historia dhe kultura e lashtë e të dy vendeve, si dhe komuniteti shqiptar në Greqi, ashtu edhe komuniteti grek në Shqipëri, janë ura të forta lidhëse të këtij bashkëpunimi dhe miqësie. Për çështje të hapura, si kjo që ju sapo përmendët, unë shprehem që, çdo çështje e re apo e vjetër, e lidhur me shtetin grek, do ta trajtoj në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në zbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të marrëveshjeve dhe të Drejtës ndërkombëtare, kuptohet, në respekt të fqinjësisë së mirë, reciprocitetit dhe si aleatë në NATO.

Zëri i Amerikës: Ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, tha pak javë më parë se Shqipëria po përgatitet për të nisur bisedimet me Greqinë për çështjen e detit, për të gjetur kompromisin me Greqinë mbi pyetjet, që do t’i drejtohen gjykatës. Për këtë duhet të merret një autorizim nga ana juaj. A keni patur kontakte me ministrinë e jashtme? A është kërkuar ky autorizim?

Presidenti Bajram Begaj: Kam informacionin që ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka zhvilluar konsultime diplomatike në lidhje me detajet dhe procedurat në vijim, se si do të zgjidhet kjo çështje. Autorizimi që ju përmendet do të lëshohet konform kërkesës nga ana e ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe do të lëshohet nga unë, siç e përmenda më parë, në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të vendimeve rë Gjykatës Kushtetuese, të marrëveshjeve dhe të Drejtës ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju zhvilluat një vizitë në jug pak kohë më parë. Mediat këtu njoftuan, se rrugës për në Bashkinë e Finiqit ju nuk ndaluat atje, ndonëse Kryetari i Bashkisë ju priste. Mediat greke e komentuan këtë, si një arsye që lindi nga fakti, se aty po valëvitej flamuri grek. Çfarë ndodhi realisht?

Presidenti Bajram Begaj: Para një muaji, ndoshta pak më shumë, kam bërë një vizitë në bashkitë e jugut, dhe në këtë tur vizitash ishte planifikuar dhe vizita në bashkinë e Finiqit. Së bashku më kryetarin e bashkisë së Finiqit, Prefektin e qarkut dhe deputetë të zones, kam zhvilluar një vizitë në parkun arkiologjik të Finiqit, dhe më pas u takuam dhe bashkëbiseduam me një grup qytetarësh të bashkisë Finiq, për çështje të ndryshme që ata i shqetësonin më shumë. Me këtë rast unë i bëj thirrje çdo shqiptari, që të bëjë një vizitë në parkun arkeologjik të Finiqit. Është pjesë e trashëgimisë tonë kulturore. Mendoj, që është park i harruar, por duhet të bëhet më shumë, që tur-operatorët, turistët, njerëzit e tjerë të shkojnë ta vizitojnë si çdo atraksion tjetër turistik në vendin tonë. Sa i përket të tjerave, unë si President i Republikës, jam i detyruar të zbatoj Protokollin shtetëror, ceremonialin e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin për simbolet në Republikën e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Një gjë tjetër që ra në sy gjatë vizitës tuaj, koeçidencë apo jo, ishte se ajo u zhvillua dy ditë para vizitës së kryeministrit grek në zonat minoritare…

Presidenti Bajram Begaj: Ju siguroj, ishte thjesht rastësi, dhe nuk ka vend për asnjë teori konspirative.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju keni njoftuar thirrjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për të analizuar gjendjen e sigurisë në vend dhe për të diskutuar prioritetet për vitin 2023. Është kjo një mbledhje rutinë, apo ju mendoni se ka gjëra që duhen trajtuar ndryshe, për të cilat ka nevojë një qasje tjetër?

Presidenti Bajram Begaj: Mbledhja e Këshillit të Sigurimit është thirrur nga ana ime për të zbatuar detyrimet kushtetuese të Presidentit të Republikës.Mbledhja ka për qëllim të japë një panoramë të përgjithshme të situatës së sigurisë në vendin tonë dhe gjithashtu të shohim përpara për prioritetet e vitit 2023, ku të parashikohet dhe të planifikohet, që çdo institucion i angazhuar në çështjet e sigurisë, të marrë veprimet e duhura për të garantuar lirinë, mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë.

Zëri i Amerikës: Meqenëse jemi tek çështja e sigurisë, zoti President, prej një kohë të gjatë Shërbimi Informativ ka qenë pa drejtuesin e vet, i larguar për studime jashtë vendit, dhe vetëm një muaj më parë Kryeministri Edi Rama, njoftoi se kishte pranuar dorëheqjen e tij. Në një botë e cila nuk është në ditët e saj më të mira, sa i përket aspekteve të sigurisë, a është normale që një vend të qëndrojë pa kryetarin e Shërbimit Informativ për muaj të tërë?

Presidenti Bajram Begaj: Shërbimi Informativ shtetëror është një institucion i rëndësishëm i sigurisë kombëtare. Në respekt të detyrimeve ligjore drejtori dhe zv. drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, emërohet dhe lirohet nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës dhe propozim të Kryeministrit. Drejtori i Shërbimit Informativ shtetëror është liruar nga detyra me dekret të Presidentit të Republikës një muaj më parë, me kërkesën e tij. Është një institucion shumë i rëndësishëm. Jemi në konsultime me Kryeministrin për gjetjen e emrit për drejtuesin e SHISH.

Zëri i Amerikës: A pritet që këto konsultime të përfundojnë shpejt dhe të mos kemi muaj të tjerë pa drejtuesin e SHISH?

Presidenti Bajram Begaj: Patjetër, do të jetë një çështje që do të jetë në prioritetet tona. Siç e përmendët, çështjet e sigurisë kombëtare janë shumë të rëndësishme. Sfidat e sigurisë globale kanë ndryshuar, janë shtuar. Përveç sfidave të sigurisë kemi dhe sfidat që lidhen më sigurinë energjiktike, atë kibernetike, sigurinë ushqimore, sigurinë publike, kështu që duhet patjetër të gjejmë një zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Zoti President, dhe një pyetje të fundit. Në pritjen që ju organizuat pak ditë më parë për përfaqësuesit e trupit diplomatik, i kushtuat një vëmendje të veçantë Kosovës, zhvillimeve atje, tensioneve të kohëve të fundit në veri, duke folur, po ju citoj, “për rrezikun që i kanosej Ballkanit deri pak pak ditësh”… Mendoni se ky rrezik mund të konsiderohet i tejkaluar?

Presidenti Bajram Begaj: Siguria e Kosovës është shumë e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë, të Ballkanit perëndimor dhe të vetë Europës. Çdo tensionim i situatës në veri të Kosovës mund të cënojë sigurinë e Ballkanit perëndimor dhe të vetë Europës. Shqipëria është gjithmonë promovuese dhe përforcuese e zërit të Kosovës, kudo në arenën ndërkombëtare. Ne mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjelltë dhe me respektim të minoriteteve sipas kushtetutës së Republikës së Kosovës. Një gjë është e sigurt. Sovraniteti dhe integriteti territorial është i patjetërsueshëm.

SHKARKO APP