Presidenti Begaj pret ambasadorin belg: Zgjerim i bashkëpunimit në nivel ekonomik

Presidenti Bajram Begaj priti këtë të hënë ambasadorin e ri të Mbretërisë së Belgjikës, Paul Lambert, jorezident në Shqipëri, të cilit i pranoi letrat kredenciale. Kreu i shtetit shprehu besimin se edhe në mungesë të një ambasade belge në Tiranë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Belgjikës do të vijojnë të përmirësohen duke u zgjeruar edhe në nivel ekonomik.

Turizmi u vlerësua si një nga sektorët më dinamikë dhe gjatë bisedës me ambasadorin belg Lambert, Presidenti Begaj theksoi se numri i vizitorëve belgë në vendin tonë është rritur e se në vijim nevojitet bashkëpunim për të ruajtur këtë trend. Sipas tij, një efekt pozitiv në këto shkëmbime vjen edhe nga fluturimet direkte ndërmjet Brukselit dhe Tiranës.

Në lidhje me bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Belgjikës për sa i përket integrimit evropian, Begaj i përcolli ambasadorit Lambert, përgëzimet për mbështetjen e dhënë në këtë proces. ”Shqipëria po bën progres të dukshëm dhe pas hapjes së negociatave për grup-kapitujt themelorë synon të përparojë me tej me reformat ndërsa paralelisht po përfiton edhe nga zbatimi i Planit të Rritjes i cili pritet t’i japë një shtysë zhvillimit të vendit”, tha Begaj.

SHKARKO APP