Presidenti Begaj pret në takim ambasadorët e Çekisë dhe Hungarisë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale të Ambasadorit të ri të Republikës Çeke, rezident në Shqipëri, Pavel Vacek. Gjithashtu, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale, priti Ambasadoren e Hungarisë në Shqipëri, Martina Kasnyik.
Presidenti i Republikës i uroi mirëseardhjen Ambasadorit të ri çek dhe vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet midis dy vendeve.
Në takim, Presidenti shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke drejt perspektivës së Shqipërisë në BE.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit vlerësoi se intensifikimi i marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe do të çojnë në një nivel më të lartë bashkëpunimin midis dy vendeve.
Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e nxitjes së bashkëpunimit në fushat ku tashmë kemi një traditë shumë të mirë, sikundër është ajo e punëve të brendshme, ku Kreu i Shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë angazhimin e Republikës Çeke në misionin FRONTEX në Shqipëri, në mbështetjen e Policisë Rrugore dhe në modernizimin e Institutit të Policisë Shkencore.
“Ne jemi të gatshëm”, – u shpreh Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, – për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomike me interes të ndërsjellë, sikundër edhe marrëdhëniet në fushën e arsimit dhe kulturës, ku ende ka shumë mundësi të paeksploruara”.
Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë takim të parë më Ambasadorin Vacek për të falënderuar Republikën Çeke që gjatë Presidencës së saj së BE-së u mor vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si edhe për vullnetin e mirë të qeverisë çeke për ngritjen e nivelit të përfaqësimin diplomatik në Kosovë, në nivel ambasadori.
Gjatë takimit me ambasadoren e Hungarisë, Presidenti i Republikës vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë politik midis dy vendeve, i cili mbështetet në një miqësi tradicionale dhe një marrëdhënie që shtrihet në mjaft fusha të interesit të përbashkët.
Shkëmbimi i vizitave në nivelet më të larta të autoriteteve të dy vendeve ka ndihmuar në intensifikimin e kësaj marrëdhënieje, e cila gëzon një traditë që daton nga koha e aleancës strategjike midis Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, dhe Heroit Kombëtar hungarez, János Hunyadi.
Kreu i Shtetit e vlerësoi mbështetjen e Hungarisë për integrimin evropian të Shqipërisë si të një avokati shumë aktiv, si dhe falënderoi Hungarinë për ekspertizën e vlefshme që po i ofron Shqipërisë në procesin paraprak të integrimit në BE.
“Shqipëria dhe Hungaria janë partnerë të rëndësishëm në NATO. Ne i jemi mirënjohës Hungarisë si vendi i parë që ratifikoi Protokollin e Aderimit të Shqipërisë në NATO”, – u shpreh Presidenti Begaj.