Presidenti Begaj pret në takim zv/kryeministren e Sllovenisë, Tanja Fajon. Bisedat nga NATO tek perspektiva europiane

Presidenti Bajram Begaj, priti këtë të të hënë në Presidencë Tanja Fajon, zv/kryeministre dhe Ministre për Punët e Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë. Gjatë bisedës u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe u theksua rëndësia e ruajtjes së kësaj fryme bazuar në interesat e përbashkëta, partneritetin në NATO dhe perspektivën e përbashkët evropiane.

Presidenti i Republikës vlerësoi mbështetjen që Sllovenia ka dhënë dhe jep për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe politikat e zgjerimit të Unionit në Ballkanin Perëndimor. ”Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv i përbashkët i rajonit”, u shpreh Presidenti, ”duke theksuar se në Shqipëri ky vizion ka nxitur transformimin përmes ecurisë së reformave”.

“Ai, gjithashtu, i ka dhënë një shtysë të madhe synimeve tona rajonale për paqen dhe stabilitetin, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nismave të tjera me rëndësi për zhvillimin e Ballkanit”,-u shpreh Presidenti Begaj gjatë takimit me Ministren e Jashtme sllovene, Tanja Fajon. Më herët, gjatë vizitës së saj në Tiranë, Fajon u takua edhe me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani.

SHKARKO APP