Presidenti Begaj: Shqiptarët e dinë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, ndaj të respektojmë çdo kënd!
Mesazhi i Presidentit Bajram Begaj në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut:
Ndërsa Bota pas fitores së antifashizmit mbi fashizmin dhe të popujve mbi tiraninë vuante ende prej dhimbjeve të plagëve të Luftës së Dytë Botërore, më 10 dhjetor të vitit 1948, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut.
OKB i dha botës jo thjesht e vetëm një dokument parimesh, por mbi të gjitha idealin e përbashkёt, të cilin duhet ta mbërrijnë të gjithë popujt dhe të gjitha kombet. Njohja e dinjitetit të lindur, të të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themel i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë.
Duke e përkujtuar sot Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ne sjellim në vëmendjen e gjithkujt faktin se sa luftë është dashur, sa shumë përpjekje dhe privime janë lypur dhe se sa jetë njerëzore janë sakrifikuar për të mbërritur deri tek Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e cila është dokumenti i parë ndërkombëtar, nga i cili rrjedh detyrimi për respektimin e dinjitetit të lindur dhe barazisë për çdo njeri, nga ku buron edhe e drejta e jetës, lirisë, sigurisë personale dhe barazisë para ligjit.
Megjithatë, miliona njerëz në botë, sot nuk i gëzojnë të drejtat universale për shkak të një sëre pabarazish dhe padrejtësish të sistemeve politike, për shkak të luftërave, të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, dhunës dhe mungesës së tolerancës ndaj dallimeve.
Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, e diskriminimit dhe e dhunës, prandaj apelojmë me forcë, me qëllim që gjithësecili të ndjehet i detyruar për respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit shoqëror apo çdo statusi tjetër.
Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është ndërkaq edhe një ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.
Sepse çështja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë çështje e nje dite dhe as vetëm e një apo e disa institucioneve. Ajo është dhe mbetet çështje e gjithë shoqërisë, sepse siç ka thënë shqiptarja më e madhe në botë, e shenjta Nënë Tereza:
“Të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij”.