Presidenti Begaj takohet me kryetarin e bashkisë së Hamburgut, zbardhen temat e diskutimit

Presidenti Bajram Begaj u prit këtë të mërkurë në një takim nga kryetari i parë i Bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher. Ky takim u vlerësua nga Begaj si një sinjal pozitiv, që evidenton interesin për rritjen e nivelit të dialogut politik me Landin e Hamburgut, si dhe zgjerimin e mundësive të reja të bashkëpunimit.

Presidenti vlerësoi marrëdhëniet me Landet e Republikës Federale të Gjermanisë, si Bavaria, North Rhine Whestphalen dhe tani me Hamburgun. Gjatë bisedës u vlerësua mbështetja që Gjermania dhe Landet e veçanta tregojnë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në takim u nënvizua nevoja e shtimit të kontakteve dhe vizitave të ndërsjella, përfshi shkëmbimin e vizitave ndërparlamentare me Parlamentin e Hamburgut, apo midis ministrive të ndryshme. Presidenti Begaj ftoi Tschentscher për një vizitë në Shqipëri, ku do të diskutohen projekte konkrete të bashkëpunimit.

Ndër fushat e bashkëpunimit u nenvizuan: tërheqja e investimeve nga Hamburgu, arsimi profesional, transporti detar dhe porti i ri i Durrësit, smart city, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, binjakëzimi me qytete shqiptare, etj.

Në takim u diskutua edhe për integrimin e komunitetit shqiptar në Hamburg dhe ndihmën e dhënë nga bashkia për shoqatat që nxisin mësimin e gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë. Begaj u shoqërua edhe nga Ambasadorja Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe deputeti Ferdinand Xhaferri.

SHKARKO APP