Presidenti Begaj takon Escobar: Shqipëria, aleate e fortë dhe e besueshme e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

Presidenti Bajram Begaj gjatë qëndrimit në New York, është takuar me Gabriel Escobar, zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit. Kreu i shtetit, thekson se Shqipëria është një aleate e fortë dhe e besueshme e SHBA-së.

”Kënaqësi të takohesha me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Eskobar. Shqipëria mbetet një aleate e fortë dhe e besueshme e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar aktivisht në sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Partneriteti ynë strategjik është i rrënjosur në angazhimin tonë të përbashkët për paqen, demokracinë dhe prosperitetin e ndërsjellë”,-shkruan Begaj në një postim në Facebook.

Begaj i përcolli falenderimet për dedikimin e Presidentit Biden dhe administratës së SHBA për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tonë. Në takim u vu theksi tek domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

SHKARKO APP