Presidenti Begaj vijon takimet me partitë për datën, pret Tedi Blushin nga Partia e Lirisë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, po vazhdon konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Të enjten, kreu i shtetit priti në Presidencë sekretarin e përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili shoqërohej nga deputetja Erisa Xhixho.

Sipas parashikimeve ligjore, Presidenti Begaj duhet të shpallë dekretin për datën e zgjedhjeve brenda 10 ditëve të para të dhjetorit. Ligji zgjedhor përcakton se kjo datë duhet të dekretohet jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të deputetëve, i cili përfundon më 10 shtator 2025.

Kushtetuta përcakton periudhën 15 prill – 15 maj për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Megjithatë, mbetet për t’u parë cilën prej katër të dielave në këtë periudhë do të zgjedhë presidenti pas konsultimeve me të gjitha forcat politike, përfshirë dy partitë më të mëdha, PS dhe PD.

SHKARKO APP