Presidenti Biden kërkon kampionë: Të mbrojmë demokracinë globale
Në samitin virtual për Demokracinë, presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se ”Democracy needs champions” (Demokracia kërkon kampionë). Biden theksoi se kjo është një pikë kthese historike. Përfaqësuesve të mbi 100 shteteve të botës, përfshirë Shqipërisë, iu kërkoi të ngrihen për demokracinë globale.
“Si një komunitet global për demokracinë, ne duhet të ngrihemi për vlerat që na bashkojnë. Duhet të ngrihemi për drejtësi dhe sundim të ligjit, për fjalën e lirë, grumbullimin e lirë, për lirinë e shtypit dhe të besimit fetar dhe për të drejtat e natyrshme të njeriut për çdo individ”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Kryeministri Edi Rama përfaqësoi Shqipërinë në këtë samit dhe në fjalën e tij, konfirmoi angazhimin për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Po ashtu Rama tha se Shqipëria është vendi i parë nga vendet ish-komuniste që ka ndërmarrë një reformë të thellë, siç është ajo në Drejtësi.
”Ja ku jemi sot, një demokraci shumë e re dhe anëtar krenar i NATO-s dhe OKB-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës, vend kandidat i BE dhe partner strategjik i SHBA-së dhe i disa prej demokracie më të konsoliduara të botës dhe si anëtare e ardhshme jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Miqësia dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike për të çuar përpara aspiratat demokratike për të forcuar sundimin e ligjit dhe qëndrueshmërinë e institucioneve tona. Katër vjet më parë, qeveria shqiptare nisi një nga reformat më të thella nga të gjitha vendet ish-komuniste, Reformën në Drejtësi. Ne po pastrojmë sistemin e drejtësisë”.