Presidenti dekoron Bujar Kardashin: Promovues i palodhur dhe i suksesshëm i artizanatit shqiptar
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit, sot hapi dyert e Institucionit të Presidentit për një ekspozitë të veçantë me punime artistike të mjeshtrit, Bujar Kardashi. Po ashtu kreu i shtetit e ka dekoruar këtë të fundit me Titullin ”Mjeshtër i Madh”, pasi siç shkruan edhe Presidenti në facebook, ai është një nga përfaqësuesit më të spikatur të artit në vendin tonë, ”promovues i palodhur dhe i suksesshëm i traditave shekullore dhe i veçantive të artizanatit shqiptar”.
Postimi i plotë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit, vlerësova sot me Titullin “Mjeshtër i Madh”, një nga përfaqësuesit më të spikatur të artit në vendin tonë, Bujar Kardashi, promovues i palodhur dhe i suksesshëm i traditave shekullore dhe i veçantive të artizanatit shqiptar.
Lutajo unik në Shqipëri, ai është jo vetëm themelues i repartit të prodhimit të violinave, por edhe i vetmi, i cili ka realizuar një kolanë të instrumenteve të harkut, që janë sot pjesë e çmuar e fondit të kulturës kombëtare.
Fill pas ndryshimeve demokratike, prej tij janë dizenjuar edhe uniformat, emblemat, gradat dhe simbolet për Forcat tona të Armatosura.
Suksese të mëtejshme në krijimtarinë dhe veprimtarinë në fushën e artizanatit, të artit e kulturës, si dhe në angazhimin e tij jetësor për ruajtjen dhe promovimin trashëgimisë, vlerave dhe traditave tona kombëtare.