Presidenti i jep titullin “Mjeshtri i Madh” Ansamblit Mirdita
Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi sot meTitullin “Mjeshtër i Madh” gjatë një ceremonie të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, Ansamblin Artistik “Mirdita” për ndihmesë të veçantë në ruajtjen, interpretimin dhe përcjelljen ndër breza të folklorit të Mirditës, dukepasuruar fondin e artë të trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar.
Presidenti Nishani pasi përshëndeti përfaqësuesit dhe anëtarët e Ansamblit Artistik “Mirdita” si dhe të ftuarit e të pranishmit, shprehu kënaqësinë dhe privilegjin, që në cilësinë e Presidentit të Republikës të mirëpresë në sallën“Skënderbeu” dhe të vlerësojë maksimalisht Ansamblin Artistik “Mirdita” si një ndër ansamblet më emblematike të trevave shqiptare.
“Ky Ansambël, i cili gjatë rrugës së tij gjysmëshekullore përfshiu mbi 600 krijues, këngëtarë dhe interpretues të zhanreve të ndryshme të këngës popullore, e ka zanafillën e vet në vitet 60-të të shekullit tëshkuar dhe padyshim, mbetet nga më unikalët për sa i përket tipologjisë folklorike në tërë trevat shqiptare. Bartjet dhe prurjet e brezave kanë ardhur në mënyrë të natyrshme vit pas viti nga gjurmuesit e visarit popullor të hershëm të një krahine në zë të Shqipërisë, e studiuar dhe e udhëpërshkuar nga studiues, etnologë, antropologë, gazetarë, diplomatë e politikanë nga Evropa e Amerika prej shekujsh dhe sidomos në fundin e shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX.” – vuri në dukje Presidenti.
Kreu i Shtetit theksoi se Mirdita është ndër zonat më kompakte të vendit sa i përket etnokulturës, folklorit, traditave shqiptare, madje edhe përgjatë kohës së pushtimit otoman, ajo mundi që t’i ruajë të gjitha këto tradita ku krijimtaria burimore e popullit veçanërisht u ruajt me stoicizëm. Atje spikat origjinaliteti krahinor e kombëtar, larg huazimeve sllave, orientale, apo të çfarëdolloj pushtuesi këmba e të cilëve ka shkelur padrejtësisht në trojet tona gjatë rrjedhave të shekujve.
“Në mbi 60 vite histori dhe krijimtari, ky Ansambël ka dhënë kontribut të pamat në folklorin shqiptar, festival pas festivali kombëtar e deri në përfaqësimet e vendit në skenat prestigjioze ndërkombëtare. Edhe pse brenda një ngushtësie ideologjike që vendi kaloi për dekada të tëra, çka pati ndikimin e vet mbytës dhe mbi artin e kulturën, bartësit, krijuesit dhe interpretuesit e këtij Ansambli arritën të mblidhnin bulëzat më të mira të popullit ndër shekuj, për t’i rreshtuar aq bukur në gjerdanin e artë të kulturës burimore shqiptare. Është kjo arsyeja që asnjë festival, asnjë veprimtari e rëndësishme kombëtare, nuk mund të kuptohej pa praninë e Ansamblit me emrin MIRDITA, një kryemetaforë përshëndetëse nga më të spikaturat e botës shqiptare. Janë të shumtë rapsodët e hershëm për t’i numëruar tani, porse ata kanë mbetur si rishtarët autentikë, që do vinin gurin e themelit të një formacioni artistik tipik të strukturuar vit pas viti. E këtu nuk mund të lemë pa përmendur dhe sjellë në kujtesë Grupin e Burrave të Mirditës, kënga heroike-patriotike e të cilit ndikoi fort në kujtesën e kombit tonë, pikërisht asokohe kur Kosova martire kishte nevojë më shumë se kurrë për vargje të tilla si “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola!”, njëlloj piskame shekullore, e kënduar nga 11 burrat e Grupit të Mirditës. Kështu ky formacion vokal po merrte dhe një mision historik, e bash për këtë nuk do reshte për vite të tëra deri në ditën kulmore historike të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ku ky grup i dhuroi kësaj date historike këngën ‘Mirë se vjen dita e shqiptarit’! Pra kudo, kudo ku ishte palca historike e kombit, aty ishte dhe ky formacion autentik vital ‘Mirdita.’” – nënvizoi Presidenti Nishani.
“Natyrisht pika kulmore e këtij Ansambli u shënua në vitin 1978, si viti i artë i artit popullor mirditor, kur ansambli ‘Mirdita’ fitoi çmimin e parë dhe flamurin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, çka vulosi triumfin e tij në atë kuvend madhështor të folklorit mbarëshqiptar. Në atë Festival ranë në sy interpretime mahnitëse të vokalit dhe të veglave të shumta instrumentale folklorike. Në veglat muzikore, përveç atyre tradicionale si çiftelia, sharkia, kavalli apo fyejt e bilbilat, u përdorën dhe linget e guralecët si gjetje burimore nga bareshat e moçme, që vazhdojnë të na mrekullojnë dhe sot me formacionin orkestral të të rinjve, të cilët me mjeshtëri u janë qasur në mënyrë origjinale mjeshtrave të mëdhenj të muzikës klasike botërore dhe mund t’i krahasojmë ata me Bahun, Moxartin, Betovenin, etj.” – u shpreh Presidenti Nishani.
“Në këtë vazhdë risish të Ansamblit nuk mund të lëmë pa përmendur dhe ‘Trion e Rubikut’ si një prurje e re e këngës qytetare mirditore, këngë që më pas u kënduan dhe nga këngëtarë të shquar të vendit dhe të Kosovës, dhe sot i kemi edhe nëpër dasmat tona në jug e në veri. Mirdita njihet si ndër trevat më të hershme të punimit të instrumenteve dhe pasurimit të tyre, ndaj mbarë kultura kombëtare u është mirënjohës zejtarëve të saj me emër në histori e veçmas një dere të përmendur si ajo e Përshqefajve të Fanit për punimin e çiftelive. Ashtu siç u është mirënjohëse dhjetëra bartësve të folklorit gojor, këngëtareve dhe vajtimoreve, që i kanë pasuruar Visaret e Kombit me prurjet e tyre origjinale me trajta estetike të rralla. Shqipëria dhe kultura kombëtare i janë mirënjohëse edhe një biri të krahinës suaj të mrekullueshme, Gjokë Becit, që me vargjet e tij brilante thuri poemën epike të festivaleve ndër dekada, një poet jo vetëm rapsodik, por dhe i këngës së muzikës së lehtë, i dekoruar disa vite më parë me titullin ‘Mjeshtër i Madh.’” – përmendi ndër të tjera Kreu i Shtetit.
“Por, sot krahas nderimit të madh për Ansamblin, do të nderohen dhe tre emra që flasin shumë nga puna në vite, me vështirësi e sakrifica, edhe kur është dashur të krijojnë në kushte persekutimi, kur jo gjithmonë e kishin të mundur hapësirën e lirës, por ngahera pa e humbur palcën e artistit. Tipik i kësaj është muzikanti dhe këngëshkruesi i njohur Dorian Nini, i cili edhe pse u dënua në Festivalin e 11-të, i dërguar me detyrim në Mirditë, gjeti një truall të begatë artistik, gjeti familjen tij, mikpritjen e ma dhe mirditore, mbi të cilën do të bënte epokë në folklorin e avancuar shqiptar, duke sjellë një model të ri ne trajtë, formë dhe përmbajtje. Ansambli ‘Mirdita’ ka konkurruar me dinjitet në të gjitha festivalet kombëtare dhe takimet tipologjike të folklorit dhe njëkohësisht është vlerësuar me çmime si në Gjirokastër, Berat, Tropojë, Dibër, Lezhë, Tiranë, Shkodër, por ka dhënë shfaqje të suksesshme dhe në Mal të Zi, Rumani, Zvicër, Itali, Maqedoni, por veçanërisht në Kosovë, në Plavë, Gjilan, Viti, Tuz, Vitojë kudo ku janë e jetojnë shqiptarë. Ky Amnsambël bashkëpunon me shoqata të ndryshme artistike brenda dhe jashtë vendit për shumë e shumë koncerte. Ajo që duhet shënuar në ditët e sotme është se ky Ansambël është kthyer në një aset të rëndësishëm turistik për zonën, por dhe për vendin, duke u përfshirë në një sërë udhërrëfyesish turistikë vendorë apo kombëtare si përmes shtegtimeve kulturore apo ritualeve të hershme të sjella me petkun e moçëm dhe finesën interpretuese të kohës.” – tha Presidenti.
Në përfundim Presidenti i Republikës inkurajoi Ansamblin “Mirdita” që të mos reshtë për asnjë moment në përpjekjet për të çuar më tej këtë traditë të shkëlqyer të krijuar tashmë dhe t’i shërbejë me devotshmëri, siç ka bërë deri më sot, nxitjes dhe promovimit të vlerave kulturore të zonës së Mirditës brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Gjatë kësaj ceremonie u nderuan me Titullin “Naim Frashëri” dhe muzikanti dhe këngëshkruesi i njohur Dorian Nini; prijësi i grupit të burrave të Mirditës, Fran Vorfi si dhe Kolë Picaku, i cili vazhdon në pension të punojë po me atë përkushtimin djaloshar me disa formacione orkestrale, veçanërisht me fëmijët e vegjël dhe të rinjtë e talentuar.
Në përfundim të ceremonisë së dekorimit, Presidenti Nishani dhe të pranishmit e shumtë ndoqën me ëndje një koncert artistik me këngë dhe melodi të interpretuara mjeshtërisht nga Ansambli “Mirdita”.