Presidenti i ri kalon nga PD-ja, por me çfarë “pazari”?
Nga: Redjon Shtylla
Një nga diskutimet e fundit politike është Presidenti i ri, ndonëse procedurat fillojnë zyrtarisht më 24 maj. Beteja brenda selisë blu, e ka thelluar edhe më shumë faktin që kreu i ri i shtetit do të kalojë përmes PD-së, pasi PS-ja nuk i ka votat që duhen në Kuvend për të votuar Presidentin. Por se cila PD do të votojë, kjo ende nuk dihet, kur janë disa grupime në selinë blu.
Sali Berisha flet në emër të PD-së, kur thotë se nuk do të votojnë asnjë kandidaturë të Edi Ramës për President. Por Berisha nuk ka mbështetjen e të gjithë grupit parlamentar që ka 59 deputetë. Grupi Basha vijon të jetë i tillë, madje kanë edhe numrin e votave që duhen për të votuar presidentin e ri. Nga ana tjetër, PS e ka të qartë synimin. Për ta Berishën nuk e ka ftuar askush për këtë proces.
Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit duhen 84 vota, ku PS-ja në Kuvend ka 74 dhe PSD ka 3 mandate dhe në total maxhoranca ka në dorë 77 vota. Në kërkim janë 7 vota që kur të vijë momenti, në Kuvend të votohet me 84 vota Presidenti. Emri i Lulzim Bashës po qarkullon këto ditë, dhe arsyeja e vërtetë nuk dihet.
Edhe nëse nuk është Basha, si kandidat, emri i ardhshëm i presidentit mund të kalojë përmes votave të grupit të tij që janë të mjaftueshme për të votuar Presidetin e ri që në raundin e parë.
Ndërkohë edhe një grup tjetër deputetësh demokratë janë në Kuvend, megjithëse kritike ndaj Bashës pas disfatës së 6 marsit, nuk janë rreshtuar me Berishën, përkundrazi kanë qenë të ashpër ndaj tij. Thuhet se me këtë grup ku janë pjesë deputetët Grida Duma, Ervin Salianji etj, ndërkombëtarët po mbajnë kontakte dhe zhvillojnë takime jashtë vëmendjes publike.
Cilido qoftë kandidatura e PS-së, Presidenti i ri duhet të ketë edhe votat e PD-së, për të marrë detyrën. Secili grup do të japë votat, kjo mbetet të shihet se çfarë “pazari” po luhet.