Presidenti i ri, Mediu: Mënyra për të negociuar me PS-në, është që të kemi një përfaqësi të përbashkët
”Mënyra më e mirë për të negociuar me Partinë Socialiste, është që të kemi një përfaqësi të përbashkët”, shprehet kreu i PR-së, Fatmir Mediu në lidhje me çështjen e Presidentit të ri. Për të opozita duhet të përfshihet në procesin e negociatave, pasi mospjesëmarrja në këtë proces do të dëmtonte vetë opozitën.
“Nëse do të shkoj në konsultimet për Presidentin, do të kërkoj një President konsensual, që është garant i unitetit të popullit, dhe për këtë duhen dy palë që diskutojnë me njëra-tjetrën: pozita dhe opozita. Nuk mund të jenë 10 palë që diskutojnë.
E rëndësishme është që opozita të shihet si një e tërë, të ketë një trupë negociatore për këtë çështje. Opozita duhet të përfshihet në proces, e ka detyrim kushtetues. Kushtetuta paracakton detyrimin e palëve për të gjetur konsensus. I vetmi moment kur parashikohet një veprim i njëanshëm i mazhorancës është kur nuk arrihet konsensusi dhe kjo cenon normalitetin politik të vendit.
Duke qenë se jemi në këtë fazë, opozita ka për detyrë që të ketë një përfaqësi dhe një mendim të përbashkët. Nuk është hera e parë që opozita vepron në mënyrë të tillë. Edhe në vitin 2002 dhe 2007 ka ndodhur e njëjta gjë, por procesi për arritjen e konsensusit është zhvilluar në të dyja rastet. Anashkalimi i këtij procesi është në dëm të opozitës”, tha Mediu për ”A2cnn”.